27.5 C
Tirana

ANALIZA/ Edi Rama rikthen PS-në e Shkodrës në konfigurimin e 2013-ës…

VENDI

Zgjedhjet politike të vitit 2013-ë u konsideruan si “përmbysja e madhe” në Qarkun e Shkodrës. Për herë të parë, aleanca e majtë e kryesuar në Tiranë nga Edi Rama, do të siguronte 6 deputetë nga 11 që kishte qarku i Shkodrës. Bashkë me katër të PS-së ishte edhe një i LSI-së dhe një kristiandemokrat.

I ekzaltuar, Edi Rama tashmë thuajse kryeministër, premtoi shumë vëmendje për Qarkun e Shkodrës, nga ajo kohë e deri më sot, e munguar. Gjatë fushatës, premtoi mjaft edhe Tom Doshi, promotori real i asaj fushate, pavarësisht se në krye të listës ishte Mimoza Hafizi.

Në pranverën e 2015-ës, ngjarjet u rrokullisën siç dihet tashmë dhe konfigurimi politik i qarkut ndryshoi papritur. Tom Doshi u përjashtua nga PS-ja, madje u fut disa ditë në burg e më pas për një kohë relativisht të gjatë në arrest shtëpie për

çeshtjen e atentatit të organizuar nga Ilir Meta kundër tij dhe deputetit Mhill Fufi, sipas asaj që deklaronte ligjvënësi socialist. Rënia e deputetit kristiandemokrat Mark Frroku, krijoi një panoramë të favorshme për LSI-në, aleate e PS-së edhe në Shkodër.

Zgjedhjet vendore 2015-ë ishin “guri i provës” për PS-në por edhe Tom Doshin në Shkodër. Rama, por edhe aleati Meta, u investuan si asnjëherë më parë në mbështetje të kandidates së përbashkët Keti Bazhdari. Të paktën në atë që mund të quhet pjesë e dukshme e politikës. Tom Doshi, edhe pse i vetëm dhe i braktisur thuajse nga të gjitha strukturat e PS-së që e kishin idhull deri në atë kohë, vendosi të demonstrojë forcën e tij.

Në Vau- Dejës mbështeti kandidatin socialist ndërsa në Shkodër sulmoi publikisht, më shumë se njëherë kandidaten e PS-së. Në Vaun e Dejës, kandidati i mbështetur nga Doshi humbi, ashtu siç humbi në Shkodër kandidatja e PS-së e sulmuar nga deputeti socialist.

Zgjedhjet politike të 2017-ës ishin nisja e ringritjes së Tom Doshit. Me vetëm një sigël, atë të PSD-së, hyri në garë për mandat deputeti. Fushata e tij kishte vetëm një kundërshtar: Ditmir Bushatin, ndërsa

strategjia e Doshit që e vazhdoi deri ditën që u shpall fitues, ishte mbështetja ndaj kryeministrit Rama. Bushati u rreshtua haptas kundër Doshit dhe mesa duket, deputeti socialdemokrat “ia mbajti mend”. Pavarësisht kësaj, Edi Rama i besoi edhe pas 2017-ës drejtimin politik të qarkut të Shkodrës Ditmir Bushatit. Sipas gjasave, Rama po i jepte shansin e fundit

Bushatit për 30 qershorin. Nga ana tjetër, Doshi mbështeste me votë vazhdimisht qeverinë Rama në Kuvend. Në terrenin e qarkut të Shkodrës, përmes lidhjeve të tij, fuqizoi mjaft pozicionin e tij edhe brenda PS-së. Në Vau- dejës, ai vendosi të përqendrohej, për të arritur atë që nuk e mori dot në 2015-ën.

Kandidati socialist ishte propozim i tij, thuhet në qarqet brenda PS-së. Edhe kur 4 ditë para zgjedhjeve u dogjën fletët e votimit për Vau- Dejësin, Doshi deklaroi publikisht se votimi do të zhvillohej me 30 qershor, se ai kishte folur me KQZ-në për të porositur fletë të reja votimi. E në fakt, si një orë zviceriane, kështu funksionoi skema e Doshit për Vau- Dejësin.

Në Shkodër, ai qëndroi më i distancuar. Mungesa e një konkurrenti përballë, kandidati socialist do të shpallej fitues edhe sikur votimi të ishte në vetëm një apo dy kuti. Doshi u mjaftua me imponimin e kandidaturës për kryetar bashkie, ndërsa priste që Ditmir Bushati të dështonte. Ku të dështonte? Tek pjesëmarrja e njerëzve në votime me 30 qershor, e cila ishte shumë e ulët. Krahasuar me 2015-ën janë minus më shumë se 12 mijë vota për kandidatin.

Ky ishte edhe “knock out”-i për Ditmir Bushatin, natyrisht edhe rikthimi i fuqishëm i Tom Doshit në krye të PS-së, edhe pse në Kuvend është deputet i PSD-së. Emërimi i Valdrin Pjetrit mund të lexohet vetëm në këtë linjë, siç edhe lënia pa asnjë post e deputetëve Bushati e Mesi në të njëjtën linjë veprimi. Planet e Edi Ramës sipas gjasave, janë afatgjata dhe në mes Bushatit e Doshit, ai ka zgjedhur këtë të dytin.

Nga sot, Tom Doshi do të ketë mundësi të zgjedhë: Të rikthehet në PS apo të fuqizojë PSD-në si një aleate e Edi Ramës.

Kurdo të ketë zgjedhje politike apo vendore, Doshi do të ketë një peshë të padiskutueshme për emrat e kandidatëve për deputetë, për bashkitë apo qarkun, të të lënë këta që janë apo vendosur të rinj.

Sepse Edi Rama e ka bërë zgjedhjen e tij…pas 6 viteve, në Qarkun e Shkodrës është rikthyer konfigurimi politik i 2013-ës. /Nga Sokol N. SOKOLI/

- Advertisement -

TE FUNDIT