16.5 C
Tirana

I parehatshmi, Gilman!

VENDI

Vështrim mbi librin “Mendimi kritik i një qytetari” me autor Gilman Bakalli

Librin “Mendimi kritik i një qytetari” e etiketojmë menjëherë tek zhanri i publicistikës, kjo është e evidente. Në formë, ama.

Përmbajtja, të paktën në gjykimin tim, është një kuintesencë e thuktë e një seri disiplinash humanistike, të shfaqura në qindra elementë në referencat e tyre, në dhjetëra koncepte të shpalosura natyrshëm e që qëndrojnë në bazë të analizave, përsiatjeve e deduksioneve të nxjerra me një laps elastik e të shpejtë nga ana e Autorit. Këto koncepte janë qëndisur në trupin e teksteve duke i ndenjur jo thjesht si bazë arsyetimi, por edhe si dekorues dinjitozë të tij. E, mund t’ju them se pas leximit të tij, asocimi i menjëherëshëm në kokën time qe:

Gilmani, zëri i të vërtetave të parehatshme! E për definicion, zërat e parehatshëm janë vetëm mendjet e lira, por jo kaotike; mendjet e mbushura cep më cep me çka më të mirën diturake ka prodhuar njerëzimi, por kurrë teorikë të thatë; mendjet e zhdërvjellëta si pasojë e një procesi të gjatë introspeksioni të vetes e, përpjekjesh për t’u kuptuar e për të kuptuar; mendjet që ecin bukur mirë si me përmasën moderne e po aq me atë klasike.  

Gazetaria ka të bëjë shumë me filozofinë, veçanërisht në lidhjen e tyre me të Vërtetën: që të dyja veprojnë në kërkim të të vërtetës së fakteve, duke kuptuar lidhjen shkak-efekt, duke inkuadruar gjendjen e gjërave në fluksin e historisë e duke i ofruar kësisoj njeriut-lexues një çelës interpretues e një përspektivë të  kuptimit në botë.

Si filozofi ashtu edhe gazetari kanë një përgjegjësi të madhe, atë të të promovuarit e të marrit pjesë në zhvillimin e mendimit kritik, të bërit të mundur që qytetari, i shoqëruar që në zanafillë të tij nga dyshimi, të përpunojë e plazmojë një aftësi të fortë të të menduarit në thellësi duke kërkuar përballjen e dialogun. Kësisoj, nga ana tjetër, qytetari-lexues sot më shumë se kurrë në kohën e users generated contents, ka një përgjegjësi të madhe, atë të të informuarit mirë e jo sipërfaqësisht duke qenë ai vetë nëpërmjet përdorimit të shumësisë së informacioneve tashmë në dispozicion të kujtdo (social network e web), i aftë të orientojë e të ndikojë perceptimet e fakteve.

Një publicist i mirë është për vetë natyrën e tij “i parehatshëm”, i papërfillshëm, i paparashikueshëm, i pakontrollueshëm. Në terminologjinë e gazetarisë anglosaksone ka dy terma që mund të aplikohen edhe në kohërat e sotme digjitale: accurancy dhe fairness, pra korrektësi, besueshmëri e përgjegjësi në të përdorurit e lirisë që ai e zotëron.

Publicisti profesionalisht e me gojën plot i mirë, gjithmonë, por aq më shumë në epokën tonë fort teknologjike, ku në dallim me Greqinë e lashtë ku prodhohej mendim pa teknologji, sot prodhohet informacion e krejt pak mendim, ka detyrën të rrisë mendimin kritik, t’ia vërë në tryezën e përditshme qytetarit-lexues instrumentet, mënyrat, metodologjitë e të menduarit në mënyrë kritike ndaj universit të tij civik.

Është realisht e vështirë të qëndrosh indiferent ndaj teksteve të Bakallit, duke filluar që nga titulli: kurrë banal. Është e pamundur që të nisësh ta lexosh tekstin e tij me sipërfaqësi: ai është i dendur, i plotë, me kohezion e koherencë logjike e, lexuesi nuk mund të mbërrijë në fund të tij e ta kuptojë. Ai të kërkon me ngulm e pashmangshmërisht vëmendjen tënde të impenjuar. Ato i përshkon një ton i qetë, karakteristikë i admirueshëm për këdo që don ta mbajë kthjelltësinë e gjykimit, një fill i lehtë ironie e cinizmi me raste, por ama ta shpërblen mundin ty si lexues që të mos përfundosh të lexosh të njëjtat patetizma publicistike, klishetë mbytëse që fatkeqësisht shpeshherë na përmbytin të përditshmen; teksti (nënkupto Autori i tekstit) nuk ka fyerje, ka argumentim; nuk ka një fill paragjykimi askund, por ka kundërshtinë e atij që bindjet e veta në lidhje me botën i ka sa të konsoliduara aq edhe në evoluim e jo të shkapërdara.

I kundërt kryekëput me oportunistin, Autori (e nënkupto tekstin) nuk kursen askënd e asgjë që syri i tij i hollë e i shpejtë prej vrojtuesi intelektual i gozhdon në vend; nuk ka emër të spikatur të fushës politike të këtyre thuajse 30 viteve që nuk është kryqëzuar me efikasitet e art nga pena e tij.

E jo për të qenë kundërshtar a priori e partie pris i situatave e protagonistëve të jetës politike, sociale e kulturore të këtij vendi, por sepse ai të bind që realisht e mendon kështu.

Shembujt në tekst për këtë që po them, janë të panumërt, por dëshiroj të ndalem paksa për momentin tek njëri syresh: Shkodranë të llastuar. Po ndalem për arsyen e thjeshtë më së pari se, si shkodrane që jam por mendoj edhe si njohëse e analizuese e hershme e karakteristikave fort të pazakonta të atij komunitet, të cilat më kanë intriguar dikur në nivel tjetër e që sot i shoh, besoj, në kuadrin real të tyre, pasi e lexova mendova për të disatën herë që lipset vërtet guxim autentik të shkruash diçka të tillë për këtë komunitet social, kulturor e antropologjik.

Citoj: “Për shkodranët meritokracia në rangje të larta të drejtimit të shtetit është një stomak që njeh dhe bluan vetëm një ushqim lokal tradicional me tre përbërës kryesorë: “shkodran”, “antikomunist” dhe “familje e madhe”. Përbërësit e tjerë si, profesionalizmi dhe arritjet individuale pavarësisht nga origjina biologjike apo sociale, trupi i shkodranit i jashtëqit vrullshëm…/

Natyrisht, kjo frymë puritane që verifikon gjithçka  nën emrin e atij kodi të lashtë zakonor, të pashkruar e sugjestionues të ngulitur brenda nesh si “qytetaria shkodrane”, e bën të pamundur shijimin e një kandidature…/Ndoshta, as që duhet kërkuar një përkitje e tillë. Sepse sa herë që politika është përplasur me qytetarinë shkodrane, ajo (politika) ka dalë fitimtare duke i shkërmoqur të gjitha cilësitë e mira të këtij kodi të brishtë dhe jetëshkurtër. ../Ende s’e kanë kuptuar shkodranët e llastuar se sa imune është real-politika ndaj vlerave që mbart ky kod?

Mesa duket, kriteri i profesionalizmit dhe përkushtimit në punë do të duhet kohë të rrënjosen si kritere të vetme për të gjykuar përshtatshmërinë e bnjë individi në rangjet e larta të administratës së një shteti. Ndoshta, po aq kohë sa ç’është dashur për të krijuar kodin e pashkruar të qytetarisë shkodrane…”. Bakalli i përket asaj që quhet në përceptimin dhe kodifikimin

shkodran,”qytetaria shkodrane”, në origjinë sociale, biologjike e kulturore, por nëse për të tjerët konservatorë të progresit kjo kthehet në pengesë, tek ai bëhet thesar: ai vë gishtin në plagën e kahershme që po e lëngon atë qytet, në të papërshtaturin e tyre me të tashmen që kërkon të jesh dinamik e praktik, që lavdia e kohërave që shkuan është vetëm pasuri, por kurrësesi pengesë për t’u përmirësuar.

Në shkrimin “PD – si e keqja më e vogël” ku ai u drejtohet bashkëvuajtësve të babait të tij, ashtu sikurse në tekste të tjera të këtij libri, ai del qartazi e qashtër me një ton të vendosur në pohime të tilla që ai e dinte se nuk do të gjenin kurrë miratimin e destinatarëve të këtij shkrimi.

Citoj të gjithë bashkëvuajtësve të tim eti që kanë ngelur gjallë, në lidhje me një keqkuptim të këtyre 18 viteve pluralizëm politik: idenë se Partia Demokratike është mbrojtësja dhe mbartësja e kauzës së ish-të përndjekurve politikë të regjimit enverian…jam i bindur se edhe im atë, para se të prehej në paqe, ishte bërë i vetdijshëm për këtë keqkuptim të madh politik.

Nëse nuk je një ekspert i sektorit,  pa veriga mendore e ideologjike ama, lehtësisht mund të kalosh në banalizime që nuk do të bënin gjë tjetër vetëm se do të përforconin klishetë që krijojnë opinionet e masës (në kuptimin sasior “masës” në këtë rast). Nëse lirinë që të është dhënë ta shfrytëzosh nëpërmjet njërit prej mjeteve më të fuqishme si është media për të ndërtuar një debat konstruktiv publik, për t’iu drejtuar jo në formë moraliste qytetarit, por të strukturuar e të sinqertë, të mësuarit e sensit civik është i pamundur. Ky sens qytetarie ushqehet nga besimi tek të tjerët në gatishmërinë për të marrë pjesë në res pubblica. Përforcohet, nëse përthithen tek secili qytetar mendimi kritik e ndershmëria intelektuale, për t’iu bërë rezistencë përpjekjeve të tradhëtimit të reales e të indoktrinimit kulturor.

Në të kundërt, ky sens do të humbë forcën në një klimë mosbesimi e zhgënjimi, meqë të shpie në një indiferencë kronike e në moskujdesjen e të tjerëve ndaj burimeve publike, ndaj gjësë publike, duke prodhuar një qytetar inert ose shpesh komplice të përkeqësimit të vetvetes.

Bakalli dhe ky libër është modeli i të formuarit të qytetarit, nga një zë sigurisht i parehatshëm, por thellësisht kritik e kultor i mendimit kritik. Për këtë mision që është një proces që nuk duhet ndalur asnjëherë, lipset të boshatiset terreni i mediokërve, i yesman-ëve, i njerëzve plastelinë. Dëshiroj ta mbyll me një fjali të Alain Deneault, sociolog e profesor universiteti kanadez që në 2015 shkroi librin e tij “La Mediocratie”; pyetjes se “A është mediokracia paradhoma e diktaturave të ëmbëlsuara?”, ai iu përgjigj: “Diktatura është psikotike, mediokracia është perverse.

Diktatura është psikotike sepse ajo nuk ngre dyshime mbi çështjen e vendimmarrjes. Hitleri, Musolini, Tito kanë qenë personazhe tejet të prekshëm dhe tërheqës që i shtypnin njerëzit me fjalë; mediokracia është perverse, sepse përpiqet ta shkrijë autoritetin e saj në brendi të njerëzve dhe të bëjë që këta njerëz të besojnë se sillen dhe veprojnë sipas vullnetit të tyre”. Bakalli më jep shpresën personalisht se Mediokracia e ka pësuar krisjen e saj me praninë e tij në pëlhurën tonë kulturore kombëtare.

Nga Diana Kastrati

- Advertisement -

TE FUNDIT