14.5 C
Tirana

“E kam parë si vajzën time”/ Përdhunoi të miturën dhe e la shtatëzënë. Si ra në kurth “MIKU” 55-vjeçar i familjes

VENDI

Analiza e ADN-së së foshnjës së 15- vjeçares në fshatin Velçan të Pogradecit nxori se pretendimi i të miturës se i ati i fëmijës ishte fqinji i saj 55-vjeçar, ishte i saktë.
Përgjigja e ADN-së doli disa muaj pas ngjarjes, që tronditi familjarët e të miturës dhe tashmë ajo i është bashkangjitur dosjes së Gjykatës.
Ngjarja u zbulua tetorin e vitit të kaluar kur një 15- vjeçare e shoqëruar nga prindërit denoncoi se ishte abuzuar seksualisht nga një 55-vjeçar, banor i fshatit Velçan.
Situata ishte edhe më e rëndë pasi vajza, nxënëse e klasës së 9-të, ishte në muajin e tetë të shtatzënisë.
Ndërsa vetë vajza identifikoi fqinjin e saj si personin përgjegjës për këtë ngjarje, vetë autori i dyshuar Ligor Biba, por edhe familjarët e tij, e përjashtuan mundësinë që ai të kishte kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.
Pak muaj pasi foshnja ka ardhur në jetë, ADN-ja ka vërtetuar atësinë e 55-vjeçarit e nga ana tjetër kjo është prova që pritet të hedhë poshtë të gjithë pretendimin e tij para drejtësisë se nuk kishte gisht në përdhunimin e 15-vjeçares Xh.B..
Thuajse një vit nga momenti kur e reja u dhunua seksualisht, ADN- ja ka arritur të zbardhë të vërtetën dhe të provojë fajësinë e të akuzuarit. Xh. B.,
tashmë nënë, e ka mbajtur të gjithë ngjarjen, të fshehur nga prindërit e saj për muaj të tërë, derisa e ëma e ka mësuar se ajo ishte shtatzënë nga infermierja e fshatit.
Frika dhe turpi ishin faktorët kryesorë që e shtynë të renë të heshtë, por pas zbulimit, të dy prindërit e saj janë
alarmuar duke e detyruar t’u tregojë të vërtetën dhe më tej e kanë shoqëruar në Komisariatin e Pogradecit për të bërë denoncimin.
Sipas rrëfimit të vetë vajzës pak muaj më parë, ngjarja kishte ndodhur në banesën e saj gjatë kohës që ajo ndodhej e vetme në shtëpi, pasi prindërit kishin shkuar në një fshat tjetër për të ndjekur një ceremoni përkujtimore. Ligor Biba, mik i familjes,
kishte shkuar në banesën e së miturës dhe sapo kishte hyrë duke përfituar nga fakti se e kishte kapur në befasi, kishte abuzuar me të.
Pas arrestimit, 55-vjeçari Ligor Biba e konsideroi ngjarjen si trillim dhe kërkoi që në fillim që të kryheshin analizat përkatëse nga ku, sipas tij, do të vërtetohej se nuk ishte ai babai i foshnjës.
Aso kohe i dolën në mbrojtje edhe familja e tij, të cilët mohuan në mënyrë kategorike mundësinë që kryefamiljari të ishte autor i kësaj ngjarje që tronditi dhe bëri me turp të gjithë fshatin.
Vajza e të arrestuarit V. Biba, u shpreh pas arrestimit të të atit se të dyja familjet kanë pasur marrëdhënie të mirë fqinjësie dhe se shpesh i kanë ndihmuar për shkak të kushteve të vështira ekonomike në të cilat ata ndodhen.
“Kjo që po ndodh është absurde. Para se të arrestohej im atë, babai i saj ndodhej në shtëpinë tonë, e kishim thirrur se po nxirrnim rakinë”, u shpreh
vajza e të arrestuarit vetëm pak orë pas prangosjes së të atit. Mirëpo, dy ditë më pas, gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, edhe familja e braktisi 55-vjeçarin.
Askush prej tyre nuk u pa në seancën gjyqësore për të mbështetur kryefamiljarin, i cili këmbëngulte në pafajësinë e tij. Tashmë përgjigjja e ardhur
këto ditë nga Tirana do t’i japë një kthesë tjetër hetimeve dhe pritet që Gjykata e Korçës ta dënojë atë për veprën penale “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”.
“Nuk kam kryer marrëdhënie seksuale me të miturën. Nuk e di pse po shpifin kundër meje, unë atë e kam parë si të ishte vajza ime”, deklaroi për oficerin e Policisë 55-vjeçari.

- Advertisement -

TE FUNDIT