14.5 C
Tirana

Departamenti Amerikan i Shtetit reagon për negociatat: Jemi të zhgënjyer…

VENDI

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas vendimit të Këshillit Evropian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një reagim të publikuar sot, DASH thekson se, Ne jemi të zhgënjyer që Këshilli Evropian nuk njohu përpjekjet për reformat e forta të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur tani negociatat për anëtarësim.

Një vendim pozitiv, vijon reagimi, do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do ti ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro atlantik.

Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha jo as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Evropian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE Ballkani Perëndimor majin e vitit të ardhshëm, thuhet në deklaratën e DASH.

Shtetet e Bashkuara theksojnë se do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet antikorrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar.

I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundura në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, mbyllet reagimi i DASH.

- Advertisement -

TE FUNDIT