23.5 C
Tirana

Viti i Ri, si festohej gjatë diktaturës në Shqipëri.

VENDI

Shiritat shumëngjyrëshe prej letre lodrat prej kauçuku aroma e drurit të djegur që dilte nga tubi i sobave përzier me atë të gjelit të detit të sapopjekur janë kujtimet që na çojnë pas në kohë në festimet e Vitit të Ri gjatë viteve të diktaturës.

Sot mund të duket një festë rutinë. Mund të festosh kur të duash e çfarë të duash, por asokohe, kjo ishte e vetmja festë që nuk lidhej me partinë dhe arsyet pse ishte e shumëpritur ishin të shumta.

Ndalimi i fesë në Shqipëri i kufizoi festat e fundvitit thjesht dhe vetëm te nata e ndërrimit të viteve apo Viti i Ri. Krishtlindja nuk festohej më kështu që gjithë vëmendja ishte përqendruar në datën 31 dhjetor.

Barra më e rëndë u binte amvisave të cilave përveçse u duhej të punonin edhe në datën 31 duhet ti hynin gatimit për në darkë. Dhe për to dukej se nuk kishte festë vetëm një turravrap nëpër kuzhinë.

Në ditët e fundit të vitit, një pritje e madhe organizohej në Pallatin e Brigadave nga Enver Hoxha me pionierët e dalluar ndërsa Dita e Krishtlindjes nuk festohej më pas 67 kur feja u ndalua.

Familjet e besimeve katolike dhe ortodokse e festonin në fshehtësi pa zhurmë e bujë vetëm në rrethe të ngushta midis tyre. Ndërkohë ishte punuar një të diel më parë që kjo të zëvendësonte datën 2 janar që ishte pushim dhe më 3 të gjithë i riktheheshin punës.

Jepeshin shpërblime të vogla financiare për të dalluarit ndërsa natën e Vitit të Ri si dhe datat 1 e 2 janar në ndërmarrje dikastere bëhej dezhurn çdo dy orë nga punonjës që alternoheshin sipas një grafiku të bërë nga drejtoria. Nuk bënin dezhurn gratë e vajzat.

E veçanta e 31 dhjetorit ishte ndeshja e futbollit që zhvillohej në fushën e Pallatit të Pionierëve të tejmbushur nga njerëzit. U kthye në një traditë tërheqëse në të cilën luanin edhe futbollistët më të njohur të tre klubeve të kryeqytetit.

Takimi ndiqej edhe nga jashtë rrethimit përtej Lanës pasi nuk kishte hapësirë për të qenë brenda territorit të vogël. Gjatë ditës së 31 dhjetorit qyteti gumëzhinte dhe dyqanet kishin aktivitet deri në çastin e fundit dhe njerëzit që vraponin për të marrë gjërat që i mungonin.

E gjithë kjo deri në orët e para të mbrëmjes pastaj të gjithë në shtëpi dhe qyteti pushtohej nga një heshtje totale dhe vetëm ndriçimi ishte ai që i jepte jetë pasi gjithçka dukej si në gjumë. Për tu gjallëruar sërish pas orës 12 të natës kur mbushej me të rinj që mblidheshin në qendër të tij.

- Advertisement -

TE FUNDIT