12.5 C
Tirana

Velipoja, diadema e brigjeve magjepsëse të Adriatikut një thesar i “pazbuluar”.

VENDI

Nga Albert Vataj. Për të flitet fare pak. Por kjo nuk ia ka hequr privilegjin asaj të jetë një prej atraksioneve turistike me vlera të patëdyta. Nëse media e ka përjashtuar disi nga promovimi dhe politikat e turizmit e kanë hedhur në periferi të vëmendjes, është vetë natyra ajo që me të andshmën dëshirë dhe devocion e ka qëndisur Velipojën me gurët më të çmuar, duke e kthyer në diademën e brigjeve të Adriatikut. Velipoja është e njohur për detin e pastër e rërën kurative, lagunën me specie të shumëllojshme, pyjet me bimësi të dendur, malin me pamje madhështore, lumin Buna dhe për mikpritjen karakteristike të banorëve vendas.

Plazhi i Velipojës është një nga plazhet më të mëdhenj në bregdetin e Shqipërisë. Ky plazh kufizohet në veri me grykëderdhjen e lumit Buna dhe në jug me plazhin e Shëngjinit. Me një vijë bregdetare prej 14 kilometra, ai ofrohet me hapësirat e pafundme të mbushura me rërë të zezë, pisha të buta bregdetare, ujë të pastër e të kthjellët, rezervate natyrore, laguna e ishuj që ndërrojnë formë si ëndjet më të hovshme të përfytyrimeve magjepsëse.Për të sosur në Velipojë mund të niseni nga Shkodra që distancohet prej saj në 28 kilometër rrugë, ose të kthehesh veriperëndimor tek Harku i Bërdicës, ndërsa je afro 5 kilometër pa mbërritur në qytetin verior. Rruga që duhet të bësh për të, përshkon fshatrat e Nënshkodrës, të cilat dikur ishin hambari i bereqetit.

Një rrugë jo dhe aq e mirëmbajtur të rrëfen një zonë jo dhe aq të pasur ku banorët jetojnë kryesisht me bujqësi dhe blegtori, pa harrua përkujdesin financiar që vjen nga bijtë emigrantë. Nëpër të njëjtin shteg vërshoj jeta e këtyre banorëve, bagëtitë dhe vargani i turistëve që mësyjnë bregdetin e Velipojës. Këtij dekori nuk i mungojnë sytë kureshtarë të banorëve që presin e përcjellin gjithnjë e më tepër bujtës të destinacionit turistik. Në të afruar të Velipojës rruga që ka pak që është rindërtuar është lajmësi i parë kilometrave të fundit për të mbërritur në zonën e plazhit. Falë sinjalistikës që ende nuk është bërë pre e barbarëve, dendësisë së banesave dhe vajtje-ardhjes së njerëzve sosim në pikëmbërritje.

Historia e Velipojës. Do të kishte diçka të mangët kjo perlë e bregdetit shqiptar nëse nuk do të kishte një histori, një zanafillë, një kumtim që do të shpërfaqte kreshtën shndritëse të krenarisë së saj bregdetare. Që tek etimologjia e këtij toponimi shtangemi. Velipojë, sipas kumtimeve të deritashme vjen nga sllavishtja e vjetër, Veliko polje, që do të thotë Fushë e Madhe. Nuk ka shtjellime të hollësishme rreth origjinës së këtij pagëzimi sllav, por fakti që në Shkodër ka edhe disa ndikesa të tjera sllave në toponime, na udhërrëfen te logjika e huazimeve prej fqinjëve. Faktet që njohim janë dëshmitarë të popullimit të hershëm të kësaj zone.

Sipas burimeve, të cilat kohëpaskohe pasurohen, mësohet se Velipoja ka filluar të popullohet mbas viteve 60 e të shekullit të kaluar. Megjithatë të dhënat historike tregojnë se kjo zonë njihet si vendbanim që në shek e 15. Ekzistenca e mogilave varreza në formë konike dhe të ndërtuara me gurë të gjetura në Malin e Luarzit dhe në Majën e Zezë, rrënojat e kishës në breg të lumit Buna dhe gjetje të tjera arkeologjike, e vërtetojnë më së miri faktin se ajo është një dimension i kahershëm qytetërimi. Në periudhat e mëvonshme, të cilat qëmtohen edhe sot, kjo zonë është dominuar nga fisi i vjetër katolik i Kastratit, që njihej me emrin fisi i pesë bajraktarëve. Popullsia është tërësisht shqiptare, kryesisht katolikë.

Rana e dermanit. Për 3 të 4 e atyre që frekuentojnë plazhin, qëllimi kryesor është ai i përfitimit shëndetësor. Nga 12 plazhet që përshkojnë vijën bredetare, nga Joni në Adriatik, Velipoja qëndron në krye të listës si destinacion kurativ. Edhe pse ai është fare pak i promovuar në aspektin mediatik dhe turistik ai ka privilegjin të jetë një prej plazheve më të rekomanduara. Uji, rëra dhe jodi që e ka pasuruar këtë vijë bregdetare, rreken ta ndajnë çdo vit këtë mirësi me mijëra pushues që i besojnë asaj ditët e relaksit.

Në ujin e kripur të detit të Velipojës gjenden rreth 92 minerale, të cilat janë të domosdoshme dhe njëkohësisht luajnë një rol përcaktues në rivendosjen e shumë ekuilibreve shëndetësor. Jodi kryeson listën e këtyre agjentëve kurativ, për tu pasura nga magnezi, potasi, etj. Përqendrimi i kripërave minerale, nënvizojnë specialistët, na lejojnë ti japim organizmit një mundësi për të larguar stresin dhe për të përmirësuar qarkullimin e gjakut. Për të qenë përfitues i kësaj bujarie të natyrës që vjen nga deti i Velipojës, rekomandohen ecjet me këmbët në ujë, në lartësinë deri në kavilje ose deri në bel. Përfituesi më i madh është lëkura.

Pas një zhytjeje në ujin e kripur, lëkura duket tonike dhe shkëlqyer, më e lëmuar dhe e pastruar tashmë nga qelizat e vdekura. Jodi natyral pastron lëkurën me një aksion dezinfektues dhe antiseptik. Nga pikëpamja dermatologjike është e njohur se ato që vuajnë nga aknet, puçrrat dhe plagë apo shenja, fal ujit të detit mund të kenë rezultate të shkëlqyera. Për dermatitet atopike, e përhapur mes te rriturve dhe te vegjëlve, një zhytje në ujin e detit si dhe shëtitjet në breg, janë me të vërtetë shumë të shëndetshme. Kjo është pra kryearsyeja se pse një plazh si ai i Velipojës duhet promovuar si një trofe pushimesh.

- Advertisement -

TE FUNDIT