24.5 C
Tirana

Vazhdojnë skandalet në burg: 100 euro më pak, 100 euro më shumë…

VENDI

Një investigim disa javor i emisionit Fiks Fare zbuloi korrupsionin e zyrtarëve të një burgu. Drejtorë burgjesh, shefa policie, gardianë dhe mjekë bashkëpunojnë me njëri tjetrin që të lejojnë një të burgosur të bëjë operacion. Dhe, e gjitha kjo, kundrejt një ryshfeti prej 2 mijë eurosh. Këta zyrtarë i zvarritën prej disa vitesh operacionin, duke rrezikuar që i burgosuri të mbetej i paralizuar. Me zë dhe figurë, Fiks Fare faktoi se këta zyrtarë i shtynë operacionin, vetëm e vetëm që ta detyronin që të paguante ryshfetin. Nga kabina e burgut, i burgosuri tha se prej disa vitesh vuan dënimin për një krim.

Jam dënuar me 20 vite burg. Kur kam qenë në paraburgim, kam thyer këmbën. Kam bërë operacion dhe shkoi çdo gjë në rregull. E kam ndjekur sipas kartelës, konsultat, të gjitha. Mbushi një farë kohe, dy vjet sa e ka kjo, duhet të hiqja vidat, pllakat. Janë disa vida, se unë kam thyer kaviljen, janë disa shtiza, që ato duhen hequr pa mbushur dy vjet, për arsye që nuk duhet ti zërë mishi thotë ai. Më tej shtoi se ka folur me doktorin e burgut Eduart Ruçi.

Më thotë do të çoj sot, do të çoj nesër. Prit një çik, prit një çik. Është çik dallaveraxhi ai. Jo këtë javë, jo të ngrohet koha, të ftohet koha. Si përfundim ma nxori urdhrin para dy javësh, për të bërë grafinë dhe konsultën. Vajta unë në Elbasan për të bërë konsultën, siç kishte dalë urdhri, edhe bëj grafinë unë dhe më thotë doktori si ke ecur ti dy vite. I thash unë skam mbushur kohën, s’më kanë sjellë këta. Jo më tha, njëra vidë ty të është hyrë në kockë. Kjo ka dashur hequr para kohe tha, kjo vida. Duhen hequr edhe këto shtizat tha vijoi më tej ai, ndërsa shtoi se doktori i burgut i bëri me disa se nëse doktori i Elbasanit e merr përsipër kryerjen e operacionit, ai ka të drejtë ta bëjë ku të dojë ai.

Nëse ai ta merr ty përsipër, ne do të bëjmë procedurat. Do shkosh në Spital të Burgut, në Spital të Burgut do të japim QSUT. Unë kam dy javë që nuk më jep njeri shpjegim. Ku di unë ça procedurash bëjnë. Jo do të çojnë në Tiranë, ku di unë ça marrëveshje, janë kokrra e dallaveres. Me pak fjalë, sa kuptova unë nga një gardian tjetër tha, jepi ndonjë lekë doktorit dhe e bën doktori atë pastaj, pohoi i burgosuri ndërsa tha se do të takohet me mjekun dhe do na marrë sërish në telefon. Dy ditë më pas, i burgosuri telefonoi sërish redaksinë e Fiks Fare dhe tha se takimi mirë shkoi.

Ti duhet ta kishe takuar doktorin, ti kishe çuar njeri doktorit të Elbasanit. Ishte muhabeti që ta takojë njeri para se të bëhet operacioni, pastaj të më takojë njeri mua,mbase flas unë me drejtorë, me këto. Më tha një numër telefoni mua ai. Diçka, unë rri në Durrës, mund të më takojë një njeri tha, përfundoi i burgosuri. Më pas, një bashkëpunëtor i Fiks Fare takon mjekun e burgut, Eduart Ruçi, i cili fillimisht është pak skeptik. Ai dyshon dhe, në takimin e parë, vetëm sa interesohet për bashkëpunëtorin e Fiks Fare. Pasi bëhet i besueshëm, mjeku i thotë se do e telefonojë sërish dy ditë më vonë, pasi të ketë vizituar më parë të dënuarin.

Pas dy ditësh, bashkëpunëtori i Fiks Fare dhe mjeku takohen në afërsi të Spitalit Ushtarak në Tiranë. Mjeku bën disa lëvizje, bën telefonata me doktorin në Elbasan, i cili nuk ia merr përsipër operacionin. Më pas, shkon te takojë një mjek në Spitalin Ushtarak dhe më pas, i thotë bashkëpunëtorit se për 2 mijë euro bëhet operacioni. Ai thotë se në këtë lojë nuk është i vetëm, por është edhe drejtori i burgut, shefi i policisë, madje edhe gardianë.

- Advertisement -

TE FUNDIT