23.5 C
Tirana

Skandali, fondacioni bamirës përvetëson fondet e të sëmurës

VENDI

Fiks Fare” denoncoi sonte se si fondacioni “Ndihma Humanitare” mbledh para’ për një familje në nevojë, duke i përvetësuar nëpërmjet mashtrimit.
Ndërkohë, familja në emër të së cilës kërkohen paratë, jo vetëm që nuk ka përfituar asgjë nga ky fondacion, por nuk ka kontaktuar ndonjëherë me përfaqësues të tij.
Gazetarët e “Fiks Fare” nisën investigimin pas denoncimit nga qytetarët se një fondacion bamirësie i quajtur
“Ndihma Humanitare” abuzonte me paratë e mbledhura, por edhe me vetë historinë, e prezantuar prej tyre për familjet në nevojë. Ky fondacion kërkon djem dhe vajza të reja, të cilët dalin nëpër rrugë me një kuti dhe u kërkojnë qytetarëve që të derdhin para’ për të ndihmuar një vajzë të paralizuar në qytetin e Pogradecit.
Pas marrjes së informacionit, “Fiks Fare” kontaktoi me përfaqësues të fondacionit “Ndihma Humanitare”. Përfaqësuesi iu prezantua gazetarëve të Fiksit me emrin Danjel. Takimi u la pasdite në një lokal. Në takim,
Danjeli tregon se ka nevojë për një vajzë që duhet të jetë e komunikueshme dhe e shkathët.
Ai u thotë gazetarëve të Fiksit se paga për çdo ditë është 15 mijë lekë të vjetra dhe nëse mbledh më shumë se 200 mijë lekë të vjetra në ditë, përfiton edhe bonus. Por, ai nuk e hap kutinë në prezencë të punonjësve dhe
gazetarëve të Fiksit, por tregon një ditë më vonë sa ke arritur të mbledhësh dhe nëse të takon bonus.
Pasi bie dakord me gazetarët e Fiksit për punësimin, Danjeli prezanton historinë e vajzës për të cilën del dhe mbledh të ardhura. Sipas tij, ajo është Helga, 15 vjeç nga Pogradeci dhe vuan nga paraliza. Sipas fondacionit, nëna e vajzës
ka bërë apel për ndihmë. Pasi flet me Fiksin për detajet, Danjeli thotë se bashkëpunëtorja e emisionit investigativ mund të fillojë punë që të nesërmen, por do të priste telefonatën e tij.
Të nesërmen herët, Danjeli telefonon gazetaren e Fiksit dhe takohen pranë Zogut të Zi në Tiranë. Bashkë i drejtohen qytetit të Lezhës dhe ai tregon se në cilat zona do të dilnin për të kërkuar fonde. Madje, ai i thotë gazetares së Fiksit se do punonte bashkë me një djalë, punonjës i fondacionit. Për të vërtetuar skemën e mashtrimit, gazetarja e Fiksit, bashkë me punonjësin tjetër, dalin nëpër biznese të ndryshme duke prezantuar rastin, ku shumë qytetarë depozitojnë lekë, por ka edhe nga ata që janë skeptikë dhe refuzojnë. Pas disa orësh, gazetarja e Fiksit dhe punonjësi arrijnë të grumbullojnë rreth 60 mijë lekë të vjetra.
Për të vërtetuar nëse paratë e mbledhura shkonin për vajzën e paralizuar, pasi Danjeli pretendonte se e kishte ndihmuar 3 herë familjen me ilaçe dhe vajza kishte pasur përmirësime, “Fiks Fare” kërkoi dhe gjeti familjen nga Pogradeci,
në emër të së cilës kërkonte para fondacioni. Rezultoi se ishte e vërtetë që vajza ishte me atë identitet siç pretendonte fondacioni, e sëmure nga paraliza, por nëna e saj nuk kishte bërë kurrë apel për ndihmë. Madje, ajo i tha Fiksit se nuk i njihte fare personat që përfaqësonin këtë fondacion bamirësie.
Ajo shprehet për “Fiks Fare” se vajza merr normalisht KEMP dhe se merr vetëm dy medikamente me recetë të rimbursueshme, që ia jep shteti, por nuk kishte dijeni për këtë shoqatë dhe se nuk ka marrë kurrë ndihmë nga personat në fjalë.
Pas kësaj, “Fiks Fare” kërkoi sërish të kontaktojë me Danjelin, që prezantohej si përfaqësues i fondacionit “Ndihma Humanitare”. Gazetarët e Fiksit e telefonuan Danjelin dhe ai fillimisht pranon që është nga
“Ndihma Humanitare”, por kur gazetarët i prezantohen në emër të Fiksit, ai thotë që nuk merret me atë punë, duke mohuar çdo kontakt dhe nuk pranon të japë asnjë shpjegim.
Pra, pavarësisht se Fiksi e filmoi sesi ai punëson njerëzit, organizon punën dhe mbledh fonde në emër të familjes në nevojë, në përfundim mohon çdo lidhje, duke faktuar se këto para’ nuk shkojnë në destinacionin e pretenduar, por në xhepat e përfaqësuesve të fondacionit.

- Advertisement -

TE FUNDIT