13.5 C
Tirana

Skandal, kryebashkiaku i ndërton shtëpi gjyshes së tij me fondet e tërmetit.

VENDI

Tërmeti i 1 qershorit 2019 i cili preku disa fshatra të rrethit Devoll dëmtoi shumë banesa në fshatin Vidohovë. Në këtë fshat u rindërtuan disa banesa nga fillimi ndërsa disa të tjera u rikonstruktuan.

Një nder banesat e ndërtuara është edhe ajo e gjyshes së kryetarit të Bashkisë Bilisht e cila nuk u bë me projektin dhe madhësinë e shtëpive të tjera por u ndërtua më e madhe.

Të gjitha shtëpitë në këtë fshat që u rindërtuan janë ndërtuar 1 plus 1 përveç shtëpisë së gjyshes së kryetarit e cila është rindërtuar me hapësirë më të madhe 3 plus 1.

Me të marrë këtë ankesë gazetarët e Fiks Fare u nisën drejt Bilishtit. Në një bisedë më kamer të fshehtë vetë kryeplaku i fshatit dhe banorët pohojnë se shtëpitë janë ndërtuar jo në mënyrë të drejtë.

Ka nga ta banorë që edhe pse janë dëmtuar nga tërmeti nuk janë shpërblyer por të gjithë bien dakord me shtëpinë e gjyshes së kryetarit të bashkisë e cila është ndërtuar më e madhe se gjithë të tjerat.

Gjithashtu kryeplaku i fshatit pohon se ka pas abuzime me ndërtimin e shtëpive. Deri më sot janë ndërtuar 11 shtëpi në këtë fshat dhe mbeten ende për tu ndërtuar edhe 11 të tjera.

Fiksi u interesua edhe pranë Bashkisë Bilisht për të marrë një përgjigje nga kryetari i saj por ai nuk gjendej në zyrë. Një specialist i emergjencave civile shpjegoi se sipërfaqet e shtëpive janë bërë në bazë të numrit të personave që ka një familje.

Familja e dajës së kryetarit që jeton sëbashku me gjyshen e tij përbëhet nga 6 persona dhe ndaj i është bërë shtëpia më e madhe kurse familjeve me nga 3 deri 4 persona ju është ndërtuar shtëpi 1 plus 1.

Gazetarja e Fiksit i kërkon një informacion më të detajuar në lidhje me shtëpitë e ndërtuara dhe numrin e personave që kanë ato, përgjigje të cilën specialisti pohoi se do e niste në rrugë zyrtare bashkangjitur edhe dokumentacionin përkatës. Por në redaksi ende nuk ka mbërritur.

Kryetar i bashkisë Eduard Duro i cili në një telefonatë pohon se shtëpia është ndërtuar me sipërfaqe më të madhe se të tjerat jo se është e gjyshes dhe dajës së tij por kjo shtëpi ka qenë me atë sipërfaqe para dëmtimit nga tërmeti dhe ka qenë shtëpi monument kulture.

Duro pohon se nuk ka dokumente që e vërtetojnë këtë por e njeh gjithë Devolli që shtëpia ka qenë mbi 300 vjeçare. Me këtë argumentim kryetari i Bashkisë Bilisht arsyeton ndërtimin e shtëpisë së gjyshes së tij 3 plus 1 ndërkohë që gjithë shtëpitë e banorëve të tjerë janë ndërtuar me sipërfaqe më të vogël.

- Advertisement -

TE FUNDIT