10.5 C
Tirana

Si Musa Çelepia refuzoi urdhërin e Ahmet Zogut për të vrarë Luigj Gurakuqin

VENDI

Musa Çelepia u lind në Parrucë, të Shkodrës, më 1890 (një burim i dytë shënon më 1895)150). Ka kryer shkollën “Idadije Ushtarake” të Turqisë, në Shkodër.
Pasi ka kryer gjimnazin ushtarak është emëruar polic nga administrata turke, duke shërbyer në Shkodër.
Më vonë gradohet nënkomiser i Policisë dhe në periudhën e pushtimit austro-hungarez, pikërisht në maj 1917, qe emëruar “komiser Policie, klasa e tretë, me pagë mujore 140 korona, pa të drejtë pensioni”.
Në saje të vlerësimeve të mira të punës, më 19 dhjetor 1917, komanda e korpusit XIX, austriak, me shkresë nr. E.V. 1992, dekretoi “Zoti Musa Çelepia gradohet komiser i klasës së dytë”, duke përfituar edhe një ngritje page prej 20 koronash.
Në vitin 1918 qe zyrtar pyetës i Policisë Qytetëse, në Shkodër, e cila u ngrit nën kryeparinë e të ndershmit Omer Lutfi dhe sekretar zotni Zef Mirdita. Në prill 1919, gjenerali francez, Bardi
de Fourtou, komandant i Trupave Aleate në Shkodër, dekretoi në detyrë komiserin e klasës së dytë Musa Çelepia.
Çelepia qëndroi në këtë detyrë deri në fillim të vitit 1922, kohë kur u emërua komiser i Policisë së kryeqytetit. Në shtator 1921 pati botuar në shtypshkronjën françeskane “Rregullore Policie”, e cila jep përmbledhtas detyrat e policëve.
Në verën e vitit 1922, duke qenë komiser i Policisë në Tiranë, dhe anëtar i partisë së “Krahut Kombëtar”, nuk ka plotësuar dëshirën e Ahmet Zogut për të vrarë Luigj Gurakuqin152), natën kur ky të shkonte në shtëpinë e tij, afër kishës katolike, në rrugën e Jusuf Elezit.
Pas largimit nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Veli Vasjari, ministri i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, e emëroi “zëvendësisht në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”. Vetë Zogu i theksonte në shkresë “Jeni të lutun të merrni në dorëzim sa më parë atë detyrë e të na lajmoni datën e fillimit në punë”.
Musa Çelepia, i caktuar zëvendësisht në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, në shtator 1922 i ka dërguar një shkresë Ministrisë së Brendshme ku ka paraqitur kërkesën “Mbi
personelin që duhet të ketë Policia e kryeqytetit”, në të cilën, ndër të tjera, ka theksuar se: duhen 6 stacione me nga dy policë (12 vetë), në dispozicion të nënprefekturës kërkohen në gatishmëri 4 policë, shërbimi i tre patrullave me nga dy policë që do të gjezdisin më rrallë
kërkon 12 policë (rruga e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kazerma dhe rruga e Dibrës), një “Noket” përpara hotel “Internacional” në vendin ku është stacioni i automobilit dhe karrocave kërkon dy policë, një “Noket” me dy policë te xhamia e Vjetër në mes të katër rrugëve, në dispozicion të Parlamentit dy policë, një për Këshillin e Naltë.
Sejfi Vllamasi, në librin e tij “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897- 1942) fq. 291 ka shkruar: “Në verën e vitit 1922, Musa Çelepia prej Shkodre, komisar i policisë në Tiranë, i cili si anëtar partie gëzonte besimin tim, një ditë vjen në shtëpinë time e më pyet nëse kam dijeni mbi një çështje me rëndësi që i ka propozuar Zogu dhe nëse edhe unë në këtë çështje isha në një mendim me Zogun… “Unë, më tha M. Çelepia, nuk ju përgjigja Zogut para se të dinje mendimin tënd, mbasi kjo kishte një rëndësi të madhe dhe unë nuk e bëj kurrsesi pa u pyetur juve”.
I përgjigjem: “Ke bërë mirë që më pyete. Nuk duhet të bëjë një gjë të tillë, se një gjë e tillë u ka hije traditave dhe jo njeriut të sigurimit dhe të një qeverie detyra kryesore e të së cilës është mbrojtja e jetës së shtetasve dhe jo zhdukja e tyre me një mënyrë misterioze dhe kriminale prej dorës së saj, gjë që çduk kryekëput besimin që populli duhet të ketë në një qeveri” .
Musa Çelepia insistoi edhe për të shtuar numrin e policëve në qytetin e Durrësit, duke argumentuar shtimin të paktën edhe të 6 funksioneve të tjera. Përballjet që pati për çështjet e reformimit në Polici, sollën pas pak muajve transferimin e tij në detyrën e komiserit të Policisë në Durrës, më 26 dhjetor 1922.
Më 7 janar 1923, Musai, riemërohet komiser i policisë në Durrës. Duke qenë këmbëngulës në kërkesat e tij për organizimin më të mirë të Policisë, Çelepia nuk u pëlqye më tej nga Ahmet Zogu dhe, më 30 mars 1923, transferohet nëpunës i shtetit civil në Shkodër. Më 6 prill 1923, njoftohet se u ricaktua nëpunës i shtetit civil në Shkodër.
Në korrik iu bashkua grupit të patriotëve shkodranë, duke dhuruar 20 korona sermi për “Oden e Nderit të Skënderbeut”. Në qershor 1924 merret i pandehur për faje politike, nga qeveria e Nolit, falet në muajin shkurt 1925 dhe në mars të këtij viti riemërohet nëpunës i shtetit civil në Shkodër.
Në këtë detyrë ka shërbyer deri në prill 1926, pasi në vijim u largua nga strukturat e Ministrisë së Brendshme me motivacionin “Pakujdesi në detyrë”. Në këto rrethana, duke pasur edhe fëmijët sëmurë (një djalë e një vajzë), Musa Çelepia u detyrua të largohet nga Shqipëria, më 1926.
Më 13 dhjetor 1926, ministri shkodran, Musa Juka, i propozoi kryetarit të Republikës rimarrjen në Polici të Musa Çelepisë, ndonëse qe pezulluar dhe dhënë gjyqit me akuzën për
mungesa në detyrë, dhe dënuar me gjobë në vleftën 3 lira otomane. Kjo nuk u bë për të nderuar Çelepinë, por nisur nga nevoja për kuadro të aftë në Polici.
Më 4 prill 1928, për arsye administrative, lirohet përsëri nga kjo detyrë dhe emërohet sekretar i parë i nënprefekturës së Malësisë së Madhe. Zotëronte mirë turqishten e serbokroatishten.
*Marrë me shkurtime nga libri “DREJTORËT E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SHQIPTARE, 1913-2013”

- Advertisement -

TE FUNDIT