15.5 C
Tirana

Selami Ibrahimi, notari që theu 107 rekorde kombëtare

VENDI

Ka lindur në Zogaj, një fshat turistik jo më larg se 7 km nga Shkodra, pikërisht më 3 maj 1942. Pikërisht këtu Selami Ibrahimi ka nisur edhe hapat e parë në sportin e notit. E nis atë shumë herët, që në moshë të vogël sepse uji i Liqenit të Shkodrës është në prag të shtëpisë. Për të vazhduar pastaj një rrugë të gjatë dhe shumë të suksesshme si pjestar i Vllaznisë duke dalë disa herë kampion e rekordmen në katër gara, nga 200 deri në 1500 metra. Selamia ka arritur të thyejë plot 107 rekorde kombëtare. Ai vetë gjithçka ka arritur në karrierë, ia pat dedikuar trajnerit të tij të parë- Shuajp Mehmetit.

Bashkë me të, merreshin me not edhe sportistë të tjerë si Qazim Brahimi, Sami Çotaj, Zija Kasemi, Nazmi Petraku etj, të cilët kanë lënë gjurmë në këtë sport jo vetëm tek Vllaznia por edhe tek Partizani.

Suksesi i parë për Selami Ibrahimin do të vinte në vitin 1958. Ai ishte vetëm 16 vjeç kur në Vlorë, përmirëson dy rekorde kombëtare për të rritur, rekorde këto që mbaheshin nga notari i njohur durrsak Korra. Pikërisht në këtë garë, ndonëse në këtë moshë shumë të re, ai fiton normën e Mjeshtrit të Sportit. Gjithnjë me ndihmën e trajnerit Shuajp Mehmeti, Selamija i hyn me themel këtij sporti dhe nga viti 1958 deri më 1969, do ishte kampion dhe rekordmen i padiskutueshëm. Pikërisht në Spartakiadën e dytë Kombëtare të zhvilluar atë vit, ai merr medaljen e fundit, atë të artën dhe këtu mbyll karrierën.

Selami Ibrahimi ka patur fatin që të jetë i pari notar shqiptar që ka marrë pjesë në një garë ndërkombëtare jashtë vendit. Pikërisht më 1959 merr pjesë në Festivalin e Rinisë Sportive Botërore. Në garën e 100 metrave, ka zënë vendin e parë në baterinë e tij duke marrë medalje ari. Me sukseset individuale, Selami Ibrahimi ka bërë që edhe Vllaznia si ekip të dominonte në ato vite. Jo më kot, në vitet 1958 deri më 1966, Vllaznia ka fituar 6 tituj kampionë si ekip duke thyer dominimin absolut të notarëve të Lokomotivës dhe Partizanit. Dhe këto suksese kanë sigurisht brenda edhe kontributin e madh të vëllezërve Shestani, të familjes Muriqi, Lishi etj.

Në të gjitha intervistat e tij para vdekjes, Selami Ibrahimi përmendte shpesh kolegët e tij dhe konkretisht Tefë, Lin, Mark e Rrok Shestanin, Enver dhe Mehdi Muriqin, Menduh dhe Esat Lishin. Për të kaluar tek Ethem Abdija, 9 vjet kampion në bretkosë, Azem Plisi e shumë e shumë emra të tjerë talentesh që kanë lënë gjurmë në notin e Vllaznisë.
Vetë Selamija dhe i vëllai i tij Zeqiri, kanë qenë mbajtës të rregullt si koleksion të rekordeve që ai thyente.

Madje edhe gazetari Rifat Uruçi ia pat bërë dhuratë një ditë të gjithë ato në një letër të bardhë, të shkruar me shumë kujdes me gara dhe vende ku janë thyer. Selami Ibrahimi ka evidentuar shpesh edhe suksesin e shkodranëve në sportin e vaterpolit teksa ka përmendur shpesh Menduh Lishin si lojtar kalibri në përdorimin e topit, Bajram Bolanin që u arratis më vonë apo dhe Enver Muriqin.

Selami Ibrahimi pra gjatë karrierës së tij ka thyer 107 rekorde kombëtare, ka qenë kampion i Shqipërisë për 12 vjet në garat e 200, 400, 800 dhe 1500 m stil i lirë. Ka gëzuar titujt “Mjeshtër Sporti”, fitues i medaljes së artë në Festivalin e Rinisë Botërore në Vjenë më 1959 etj. Selami Ibrahimit po i bëhen disa vite që nuk jeton më megjithatë ai do kujtohet gjatë. Për titujt kampionë, për rekordet e tij dhe për sukseset e shumta në sportin e notit.
Gjergj KOLA

- Advertisement -

TE FUNDIT