12.5 C
Tirana

Presioni mbi Vllazninë, me Laçin është një “ndeshje trajneri”

VENDI

Presioni është rritur shumë dhe është diçka e natyrshme për situatën ku ndodhet Vllaznia.
Rënia nga kategoria e kërcënon më shumë se kurrë. Klubi ka kërkuar që futbollistët të mos japin deklarata për shtyp dhe të jenë të përqendruar vetëm te fusha.
Vllaznisë i duhet medoemos fitorja ndaj Laçit, që së pari të shtojë 3 pikë në tabelë dhe së dyti të rigjejë besimin e humbur nga disfatat me Teutën dhe Luftëtarin.
Është një nga ato ndeshje, që duhet përgatitur deri në detaje, ndryshe një “ndeshje trajneri”, ku zgjedhjet taktike do të vendosin, ashtu si dhe motivimi i futbollistëve.
Kundërshtari bën lojë agresive, ka një objektiv të qartë dhe në Shkodër do të luajë fort për pikë. Trajneri Gjoka e di shumë mirë këtë gjë.
Edhe barazimi do të ishte i papranueshëm për skuadrën shkodrane.
Një ndeshje në shtëpi në këto 6 javë të mbetura nuk mund të imagjinohet se nuk do të fitohet, sepse përndryshe do të thoshte kapitullim.
Pozitiv është fakti që stafi teknik ka në dispozicion gjithë grupin e futbollistëve.
Këta të fundit duhet të sakrifikojnë për fanellën që mbajnë veshur, për t’iu larguar zonës së ftohtë, duke përfituar edhe nga përballja direkte e rivalëve, Teutës dhe Kamzës.
Tifozët pritet t’i japin më shumë mbështetje skuadrës në këtë 90-minutësh jetik, në këtë derbi të veriut, që duhet fituar me çdo kusht.
Gabimi me Luftëtarin korrigjohet vetëm me një trepikësh ndaj Laçit, por kuptohet që asgjë nuk përfundon këtu, sepse lufta do të vazhdojë deri në fund. / Vipsport/

- Advertisement -

TE FUNDIT