8.5 C
Tirana

Meta argumenton vendimin për shfuqizimin e Dekretit për datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit

VENDI

Presidenti Ilir Meta argumentoi sot arsyet që e çuan drejt marrjes së vendimit për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.

 

Në një konferencë për shtyp nga presidenca, Meta tha se “Presidenti i Republikës është organi i vetëm që ka për kompetencë caktimin për datën e zgjedhjeve”.

 

“Në zbatim të neni 92, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë, Kushtetuta përcakton se Presidenti cakton datën e zgjedhjeve. Pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo vendore nuk mund të zhvillohen. Kurrsesi data e zgjedhjeve nuk mund të jetë ditë përçarëse”, tha ai.

 

“Zgjedhjet e lira dhe demokratike janë baza e një shoqërie demokratike. Si një prej instrumenteve të demokracisë, zgjedhjet shërbejnë për të pasqyruar vullnetin e popullit. Në këtë vështrim, realizmi i zgjedhjeve pa garë është në kundërshtim me parimet demokratike. E drejta kushtetuese për të zgjedhur nuk zbatohet. Referuar të dhënave që kanë mbledhur partitë në zgjedhjet e shkuara, zgjedhjet pa garë dhe pa prezencën e opozitës cenojnë Kushtetutën. Sipas nenit 1, pika 3 qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira. Koncepti kushtetues nuk mund të konsiderohet i përmbushur vetëm në aspektin e mundësisë së pjesëmarrjes në votime. Kjo do e çonte Shqipërinë në listën e vendeve jodemokratike”, deklaroi ai.

 

Presidenti tha se dita e realizimit të zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi dhe jo përçarje për popullin dhe se 30 qershori është dekretuar në kushtet e një klime normale në vend.

 

“Është dekretuar data në kushtet e një klime normale politike në vend. Presidenti ka ndjekur në vijimësi masat administrative për realizimin e këtij procesi, por rezulton se në skadim të afatit të regjistrimit të partive politike, ato të opozitës nuk janë regjistruar, pasi sipas tyre nuk mund të garantohen standardet për zgjedhje të lira. Ky vendim i opozitës, pason vendimin e saj për djegien e mandateve. Nga ana tjetër Shqipëria po kalon një krizë kushtetuese. E gjithë kjo gjendje është shqetësuese dhe rrezikon stabilitetin e vendit”, deklaroi ai.

 

“Ndryshe ndodh në rastin e zgjedhjeve vendore. Është pushteti vendor që kujdeset për problemet e zgjedhësve. Pushteti lokalë është më afër qytetarëve. Në këtë mënyrë referuar parimeve kushtetuese, nëse në zgjedhjet lokale merr pjesë vetëm maxhoranca, qytetarëve i cenohet e drejta për të zgjedhur. Presidenti ka detyrimin të zbatojë Kushtetutën për të drejtat e njeriut dhe të kontribuojë për realizimin e tyre. Kur kjo e drejtë cenohet presidenti ka të drejtë të ndërmarrë çdo akt për ta kthyer këtë”, deklaroi Meta.

 

Ai tha se “zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet tensionuara sjell jo vetëm bojkot por edhe rrezikun e një konflikti civili. Presidenti ka përgjegjësinë që të sigurojë bashkëjetesën demokratike e cila vjen para çdo rregullimi tjetër”.

 

Meta tha se dekreti i tij për të shfuqizuar dekretin e zgjedhjeve, nënkupton se anulimi i 30 qershorit, do të thotë shtyrje e tyre përtej afatit të caktuar zgjedhor.

 

Por kjo sipas tij, nuk paraqet pengesa kushtetuese. Ka diferencë tha Presidenti për rregullat e mbarimit të mandatit të Kuvendit dhe ato të mbarimit të mandatit për organet e njësive të qeverisjes vendore.

 

Ai tha se data e ardhshme e zgjedhjeve do të caktohet brenda një afati të arsyeshëm, por kjo datë do të jetë e dakordësuar politikisht.

 

Meta tha se kërkon zgjidhjen e situatës me marrëveshje politike. “Të krijohet hapësirë kohë e nevojshme që palët të diskutojnë për të gjetur rrugën e krizës”, nënvizoi ai.

 

Presidenti theksoi se ka një rrezik real sipas tij që vendi të shkojë në drejt një përshkallëzimi të paparashikueshëm ‘social’ siç ai u shpreh që mund të sillte pasoja të mëdha për vendin.

 

“Përpos thirrjeve, mesazheve dhe presidentit të Republikës për thirrje për dialog palët politike nuk janë përgjigjur. Maxhoranca thotë se do shkojë e vetme në zgjedhje pa ezauruar asnjë mundësi për zgjidhjen e krizës politike. Nga ana tjetër opozita shprehet e vendosur se do të pamundësojë zgjedhjet.

 

Si president i Republikës theksoj ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm social që mund të shkaktojë pasoja të paimagjinueshme. E konsideroj rrezik për stabilitetin, qetësinë, dhe paqen në vend”, deklaroi ai.

 

 

 

- Advertisement -
- Advertisement -

TE FUNDIT