14.5 C
Tirana

KOHA E KOMUNIZMIT, KUR DOM ERNEST TROSHANI JEPTE MESHË PËR KRISHTËLINDJET

VENDI

Krishtëlindjet, festa më e madhe e besimitarëve të krishterë në mbarë botën, në Shqipëri ka filluar të festohet (pas një ndërprerje të gjatë) vetëm pas viteve ’90-të, kur regjimi komunist u detyrua që të bënte lëshime si rezultat i trysnisë së faktorit ndërkombëtar dhe gjithashtu nën presionin e madhe të mijra e mijra besimtarëve katolik e ortodoks shqiptarë.

Të cilat ishin privuar nga kjo gjë që nga viti 1967 kur regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës ndaloi me ligj ushtrimin e besimeve fetare, duke e e shpallur Shqipërinë si vëndin e vetëm ateist në botë, gjë e cila u sanksionua edhe në Kushtetutën e vitit 1976. Në ’67-ën, regjimi komunist i ndaloi dhe de jure ushtrimin e besimeve fetare, pasi de facto atë gjë, pra luftën e egër ndaj religjoneve fetare, e kishte filluar që nga viti 1945, duke arrestuar, burgosur, internuar dhe ekzekutuar, me dhjetra e dhjetra meshtarë katolikë, por dhe ata të besimeve të tjera të klerit ordhodoks dhe myslyman, gjë e cila vazhdoi në mënyrë lineare deri në fundin e viteve ’80-të.

Por edhe pse nën këtë persekutim të paparë të religjoneve fetare në Shqipëri, ku duhet thënë se ai ndaj klerit katolik ishte në përmasa shumë më të mëdha se besimet e tjera, nga viti 1945 e deri në 1967-ën, besimtarët e shumtë të krishterë mbushnin objektet e kultit, ku festa më e madhe ishte ajo e Krishtëlindjeve.

Një ndër ata klerikë të besimit katolik që jepte meshë gjatë periudhës së komunizmit nga vitit 1945 deri në 1967-ën, ka qenë edhe Dom Ernest Simoni Troshani, i cili prej 9 tetorit të vitit 2016, u shpall Kardinal nga Papa Françesku, duke qenë Kardinali i dytë shqiptar pas Dom Mikel Koliqit. Edhe pse në moshën 91 vjeçare, Kardinal Ernest Troshani vazhdon të jetë mjaft aktiv në të gjithë aktivitetet dhe ceremonitë e ndryshme fetare, siç janë edhe Krishtëlindje.

Të gjitha këto tashmë janë të njohura për të gjithë shqiptarët kudo që ata janë, por ajo që nuk njihet shumë, është historia e Dom Ernestit para viteve ’90-të, në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës ku ai vuajti plot 28 vjet në burgjet e diktaturës më të egër të Europës. Dhe nisur nga kjo, me rastin e kësaj feste të madhe, Memorie.al po bën publike disa foto të rralla të Dom Ernestit, që fillojnë nga periudha e Monarkisë së Zogut kur ka qenë xhakon dhe vazhdojnë më pas në vitet e pushtimit të vëndit, dhe vijojnë në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, kur ai ishte dorzuar meshtar dhe jepte meshë në ceremoni të ndryshme fetare.

Bashkë me këto foto që shohin për herë të parë dritën e botimit, të cilat na janë dhuruar nga vetë Kardinal Troshani, po publikojmë dhe disa foto nga takimet e tij me Papa Françeskun në Vatikan dhe gjatë vizitës që kreu i Selisë së Shenjtë bëri në Shqipëri. Me publikimin e këtyre fotove, stafi i Memorie.al gjen rastin për të uruar të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen, gëzuar për shumë vjet Krishtëlindjet. Dhe gjithashtu një urim të veçantë për Dom Ernestin, duke i uruar jetë të gjatë dhe Krishtëlindjet gëzuar.

nga Dashnor Kaloçi / Memorie.al

- Advertisement -

TE FUNDIT