20.5 C
Tirana

“Idiot, s’do jetojmë si qen”/ Propozimi i ish ministrit për uljet, revoltohen keq pensionistët

VENDI

Propozimi i deputetit socialist, ish-ministër i Shëndetësisë Ilir Beqja për uljen e pagave me 10% deri në fund të vitit për administratën dhe me 15% të pensioneve suplementare në mënyrë që të përballohet kriza ekonomike nga COVID-i, ka shkaktuar reagime të shumta dhe të forta. Report Tv sot pyeti pensionistët se cfarë mendojnë për këtë propozim? Ata e cilësuar propozim idiot.

“Ai më shumë flet për tarafin që ka të punësuar vetë, mos mendo se po mendon për popullin, por për interesin e vet. Në një moment thua se pagat janë të ulëta, në një moment tjetër thua t’ua shkurtojmë, a ka kuptim?” tha njëri prej tyre.

Një tjetër pensionist u shpreh se “Ilir Beqja i ka milionat për vete, ne të na heqin atë pension dhe të marrim rrugët në Europë të shkojmë të lypim. Unë nuk marr pension suplementar, kam punuar 48 vite, marr 170 mijë lekë. Jo ata që nuk duhet të preken por të na e ngrejë edhe ne një cikë”

Nëse ky propozim pranohet e çon ekonominë në fund, tha një tjetër qytetar. “Nuk duhet të bjerë ekonomia, ti mendon se mund të shkurtohet pensioni apo administrata, po ekonomia, blerjet, njerëzit? Kanë hapur dyqanet dhe nuk kanë punë fare. Nuk është propozim i drejtë, se do të bjerë konsumi dhe ekonomia shkon në fund. Rrogat dhe pensionet janë minimale. Njeriu nuk do të jetojë si qen, por normalisht”.

“Është e gabuar pasi pensionistët kanë kontribuar me sigurimet shoqërore, dhe ai nuk ka të drejtë që të propozojë. Një propozim idiot. Po portokallet 2 mijë lekë, domatet 3 mijë lekë? Eshtë pension zotëri, do të thotë se është minimumi i jetesës, ka punuar, ka djersitur tjetri edhe për atë që e merr suplementar” thanë pensionistët e pyetur nga Report Tv.

Propozimi i Ilir Beqajt;
Nga 1 maj 2020 deri në 31 dhjetor 2020, të gjithë të punësuarit e sektorit publik, institucione e ndërmarrje, qendrore e vendore, të varura e të pavarura, të paguhen me 90 % të pagës së tyre normale. Por jo më pak se paga minimale në shkallë vendi, duke përjashtuar edhe ata që janë në vijën e frontit të luftës. Paga mesatare mujore në sektorin publik është 63,000 lekë.

Të punësuar janë rreth 172 mijë. Krijojmë kështu një fond rreth 8,7 mld lekë (4,5 mld punonjës buxhetorë dhe 4,2 mld punonjës jobuxhetorë). Po kështu, çdo pension suplementar e shtesë pensioni suplementar (nëpunës i lartë shtetëror, ushtarak në lirim, profesor etj.) për tetë muajt e mbetur të vitit, të marrë 75 % të këstit mujor të muajit prill 2020.

- Advertisement -

TE FUNDIT