12.5 C
Tirana

Hamdi SALIHI i shokuar, emocionon me mesazhin e tij: Detyrim moral ta ringrejmë VLLAZNINË, shkodranët nuk lejojnë t’i humbë emri

VENDI

Është larguar në merkaton e verës nga Shqipëria, megjithatë Hamdi Salihi kurrë nuk e harron kampionatin shqiptar, veçanërisht Vllazninë e tij.
Skuadra shkodrane është pranë zbritjes nga kategoria dhe atmosfera në qytetin e biçikletave me të drejtë është tejet e zymtë. Vllaznia është djepi i futbollit shqiptar dhe për shkodranët ekipi kuqeblu është “fe”.
Për këtë situatë që po kalon ekipi i Vllaznisë, ka folur Hamdi Salihi.
Sulmuesi 34-vjeçar, në një intervistë ekskluzive për newsport.al, shprehet totalisht i shokuar dhe i bën thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi ta ndihmojnë skuadrën e vendlindjes.
Vjet ishte prezent në rënien e Tiranës, ndërsa këtë vit po sheh nga larg se si Vllaznia po kalon vitin e saj më të errët.
Në Austri me Neushtadin ka shënuar 21 gola, megjithatë ai është gati të lërë gjithçka nëse do të ishte e mundur dhe në dy ndeshjet e ardhshme të jetë në fushë me fanelën e Vllaznisë.
Mesazhi i tij është i qartë: Vllazninë mund ta ringrejnë vetëm shkodranët.
– Vjet ishe prezent në Superiore dhe pe të binte Tirana nga Kategoria. Ndërsa këtë sezon historia po përsëritet me Vllazninë. Si e komenton këtë gjendje të kampionatit shqiptar?
Është e vërtetë. Është një situatë identike për të dy ekipet, ku pas disa sezoneve jo të mira vjen edhe rënia nga Kategoria.
Kjo duhet të jetë një shkundje e mirë për të dy skuadrat që të marrin masa dhe të riorganizohen ashtu si duhet. S’duhet të kujtohen vetëm atëherë kur kanë prekur fundin.
– Si një futbollist me eksperiencë, çfarë mendon se duhet të ndryshojë?
Duhet të ndryshojë njëherë e përgjithmonë idea që mjafton vetëm emri dhe fanela për të arritur objektivat.
Duhet të afrojnë njerëz që janë të përgjegjshëm dhe që kanë treguar që janë të suksesshëm në këtë fushë.
– Rënia e Tiranës u konsiderua një dramë. E njëjta gjë mund të thuhet me Vllazninë. Sipas teje, a duhet të ndryshojnë politikat e FSHF-së për sa i përket strukturës së Superiores?
Me rënien e këtyre ekipeve, kampionati shqiptar humb direkt 30-40 përqind të totalit të tifozëve që ai ka komplet.
Megjithatë mendoj se Federata Shqiptare e Futbollit nuk i ndihmon dot individualisht këto ekipe, pasi rregullat janë njësoj për të gjithë. Skuadrat janë njësoj, pavarësisht emrit dhe traditës që ato kanë.
– Tirana ka siguruar ngjitjen, ndërsa Vllaznia praktikisht zbritjen. Si një “ish” i këtyre skuadrave si ndihesh?
Ndihem i zhgënjyer pasi janë 100 vite histori dhe traditë. Një sakrificë e jashtëzakonshme nga parardhësit tanë, por fatkeqësisht që rrëzohet.
Nuk është thjesht një ekip futbolli, është shumë më shumë se aq.
– A kanë ndikuar faktorë të jashtëm apo të brendshëm që Vllaznia të bjerë nga kategoria?
Ka shumë faktorë dhe nuk mendoj se mund ta drejtojmë gishtin vetëm në një vend.
Besoj se çdo njeri, sidomos shkodran që ka lidhje me sportin ose ka diçka në dorë për të ndihmuar sportin, është përgjegjës për këtë situatë.
– A mendon se një ditë tifozët shkodranë do ta pranojnë dhe do ‘pajtohen’ me këtë që ka ndodhur?
Vllazninë kaq të madhe e kanë bërë njerëzit e atij qyteti dhe askush tjetër.
Ata, sigurisht që nuk do ta kenë të lehtë ta pranojnë këtë dështim, por nuk do ta lejojnë kurrë që ai emër të zhduket. Do jenë prap ata njerëz që do ta ngrejnë aty ku duhet.
– Si një djal Shkodre dhe si një kampion i atij qyteti, a ke diçka për të thënë?
Sot, edhe unë si çdo shkodran tjetër jam pa fjalë. Thjeshtë, shpresoj që kjo të bëjë që gjithëkush të reagojë dhe të kthehet më e fortë.
– Dy ndeshjet e ardhshme japin verdiktin final për fatin e Vllaznisë. Nëse do duhej dhe do ishte i mundur rikthimi yt, do braktisje gjithçka andej vetëm për të shpëtuar ekipin e vendlindjes?
E thashë më lart. Nuk është thjesht një ekip futbolli. Është një histori që gjendet prapa saj.
Unë kam detyrimin si çdo shkodran që të bëj gjithçka që mundem për ta ndihmuar Vllazninë. Ky është detyrim për çdo shkodran… /Retin TOKA/

- Advertisement -

TE FUNDIT