15.5 C
Tirana

Të zhdukur në komunizëm

VENDI

Njihemi si vendi i bunkerëve, vendi ku jehon ende komunizmi, ku e shkuara zbukurohet, ku me të bëjnë art, ku përpiqemi të shkojmë drejt të vërtetave, por kur duhet të gërmojmë, nuk mundemi

30 vite pas demokracisë, kemi më shumë se 6000 të zhdukur që i dimë se ku mund të ndodhen, por nuk na lënë të gërmojmë. Jemi vendi ku bunkerët kthehen në art, mund të qëndrojmë aty, po ku të vërtetat flenë. 30 vite të demokracisë, histori të trishta jehojnë ende. Më shumë se 6000 të zhdukur, nën dhe’ bërtasin me zërin e familjarëve, njëlloj si në ekpozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 


Një hartë e madhe thërret me tabela të kuqe, të gërmohet toka shqiptare. Ata mendojnë se e dinë ku i kanë trupat e të afërmve, por nuk mund të gërmojnë tokën e tyre. Sot, për këto 6000 e më shumë të zhdukur, ky vend nuk ka gjetur në 30 vite as 6000 pushtetarë që t’i rikthejë identitetin këtyre viktimave të komunizmit.
Të paktë janë ata që i kanë gjetur të zhdukurit nga diktatura, ashtu sikurse ka edhe të shumtë nga ata që janë dorëzuar. 


Kjo ekspozitë nuk është vetëm një thirrje ndaj pushtetit, por edhe një thirrje ndaj ndërkombëtarëve, që ta ndihmojnë këtë proces të mbërrijë më shpejt. Që e shkuara të mos mbetet e pakryer, një e shkuar që vijon ende të gërricë të tashmen e Shqipërisë, ashtu sikurse shpjegon vetë kuratorja e kësaj ekspozite, Fatmira Nikolli.
Kjo javë e dhjetorit, tanimë e kthyer rishtazi si një javë ku jehon e njëjta thirrje, njëlloj si vitin e shkuar, njëlloj si mote të shkuara, bërtet sërish fort: gjeni trupat e atyre që komunizmi i ka zhdukur!


- Advertisement -

TE FUNDIT