11.5 C
Tirana

Gazetari italian e merr për të shpëtuar 11-vjeçarin, ambasadori shqiptar i mbyll telefonin

VENDI

Një histori e tepër e dhimbshme është publikuar mbrëmjen e djeshme (17 tetor) në emisionin investigativ “Le Iene” në Itali, ku një baba shqiptar kërkon djalin e tij 11-vjeçar, të cilin e ëma e ka marrë me vete në Siri para 5 vitesh.

Fatkeqësisht nëna e vogëlushit të quajtur Alvin Berisha ka humbur jetën gjatë bombardimeve, pasi u bë pjesë e ISIS, ndërsa babai i tij po tenton me çdo lloj mënyre për ta risjellë në Itali, ku dhe banon.

Falë emisionit “Le Iene” u mundësua gjetja e të miturit.  Vogëlushi Alvin ndodhet në një kamp për të burgosurit kurdë, që cilësohen terroristë nga autoritetet turke dhe siriane.

Stafi i emisionit bëri të mundur që babai të takohej e ta përqafonte djalin e tij për herë të parë pas kaq shumë kohësh.

Mirëpo këtu nisin problemet, pasi e vetmja mënyrë që babai të rimarrë djalin e tij nga kampi është prezenca e një diplomati shqiptar.

Gazetari i “Le Iene” telefonoi ambasadorin shqiptar në Turqi, Genti Gazheli, i cili fillimisht premtoi se do të bënte të pamundurën për ta ribashkuar Alvinin me babain e tij, por më pas mbylli telefonin në mënyrë të papritur dhe askush s’u përgjigj më.

Një veprim i papërgjegjshëm por edhe i pajustifikueshëm ky i trupës diplomatike shqiptare në Turqi, e cila në vend që të garantojë mirëqenien dhe sigurinë e shtetasve të saj që jetojnë jashtë trojeve të Shqipërisë, duke i ndihmuar në çdo lloj problemi që ata mund të hasin, mbyllin edhe telefonin edhe kur bëhet fjalë për një të mitur vetëm  11-vjeç.

Në këtë rast, detyrën e shtetit e ka bërë emisioni investigativ, që jo vetëm i “çorri maskën” ambasadorit Gazheli, por bëri gjithçka është e mundur që babai dhe i biri të ribashkohen.

Është për të ardhur keq, që shteti dhe trupa diplomatike janë kaq të pafuqishëm sa të shpëtojnë një fëmijë të pafajshëm 11-vjeçar.
Shumë qytetarë shqiptarë që jetojnë në Itali, të prekur nga kjo histori e dhimbshme, kanë shkruar në redaksinë e JOQ Albania, ku bëjnë apel që shteti të ndërhyjë për këtë rast dhe të mundësojë ribashkimin e Alvinit të vogël me babain e tij.

- Advertisement -

TE FUNDIT