10.5 C
Tirana

Basha: Nuk do shfrytëzojmë zemërimin e qytetarëve për përfitime politike

VENDI

Kreu i opozitës Lulzim Basha deklaroi sot se opozita do të mbështesë protestat e qytetarëve të cilët kërkojnë siç tha ai të drejtat e tyre.

Në një intervistë televizive kreu i PD iu referua punonjësve që protestonin në Korçë për të theksuar faktin se ndihma e qeverisë është e pamjaftueshme. Pyetjes nëse opozita do të mbështesë aksionin opozitar me protesta, Basha iu përgjigj se nuk do të shfrytëzojë zemërimin e qytetarëve për përfitime politike.

“Janë dy gjëra që s’duhet të ngatërrohen, mbështesim, inkurajojmë e do t’i japim kurajo protestës së drejtë të qytetarëve që tashmë ka nisur, për të drejtat e tyre, s’kërkojnë lëmoshë, e ka detyrim shteti, ai urdhëroi mbylljen e biznesit. Ligji i fatkeqësive natyrore e ka të shkruar që për cdo dëm material financiar që u vjen qytetarëve shteti duhet ti përgjigjet me ndihmë financiare.

Edhe për ato pak para që ka ndarë me pikatore që nuk përbëjnë asnjë përqindje të nevojës. Pyetja sot është ku janë lekët e taksave të rritura të shqiptarëve. Taksat e çmimit të energjisë, të naftës, pse nuk u vihen sot në dispozicion njerëzve?

Dëgjojini ato zonja, flasin për të gjitha zonjat e Shqipërisë që kanë ngelur në baltë. Janë të parat që përballen me mungesën e bukës për vogëlushët.

Opozita mbështet me të gjitha format e mënyrat protestat e qytetarëve për të kërkuar e fituar të drejtat e tyre e për ti dhënë fund dështimit nga qeveria.

Ajo që nuk do bëjmë është të shfrytëzojmë këtë zemërim popullor të drejtë për interesat tona politike, por do mbështesim gjithë qytetarët në kërkimin e të drejtave të tyre. I thua rri në shtëpi e nuk i tregon planin që ke për ta nxjerrë vendin nga kriza, i thua rri në shtëpi e nuk i jep një kacidhe, bëhet e gjitha që dhjetra veta të marrin qindra milionë euro të taksave të shqiptarëve, Rama këtë mundohet ta kalojë me sulme ndaj opozitës”, tha Basha.

- Advertisement -

TE FUNDIT