A1 ALBANIA – NEWS

DJEGIA E KZAZ 3, ARRESTOHEN 5 PERSONA DHE 14 NË KËRKIM

Policia vendore e Shkodrës ka vepruar menjëherë pas protestës së opozitës natën e kaluar tek shkolla “Shejnaze Juka” ku është e vendosur KZAZ 3. Forcat e policisë janë vënë menjëherë në lëvizje dhe kanë arritur që të arrestojnë në total 5 persona ndërsa janë shpallur në kërkim 14 të tjerë dhe janë proceduar dy shtetas të cilët po ndiqen në gjendje të lirë.

 

Kështu të arrestuarit janë shtetasit Gentjan Bytyçi, 29 vjeç banues në lagjen “Ajasëm” në Shkodër, punonjës i policisë bashkiake, Alfred Nikolli 41 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, po ashtu punonjës i policisë bashkiake në Shkodër. Është arrestuar edhe Adi Garuci, 50 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, specialist tek zyra e bujqësisë në bashkinë Shkodër dhe Aleks Ndoj 39 vjeç banues në Velipojë si dhe Orlando Thepi 17 vjeç banues në Shkodër.

 

Policia e Shkodrës në njoftimin e saj bën të ditur se në lidhje me ngjarjen e ndodhur datë

18.06.2019, ku disa shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë kryer veprime aktive, për të djegur me zjarr shkollën “Shejnaze Juka” në lagjen “Kongresi i Përmetit” dhe materialet zgjedhore që ndodheshin në ambientet e kësaj shkolle, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë,

 

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas veprimeve hetimore, identifikimit të personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia, bënë arrestimin në flagrancë të këtyre 5 shtetasve.

 

Njoftimi i policisë bën të ditur se janë të shpallur në kërkim edhe 14 të tjerë dhe dy shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Këta shtetas sipas policisë akuzohen për veprat penale “shkatërrim i pronës me zjarr”, “Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “goditja për shkak të detyrës”, “kanosja për shkak të detyrës” dhe “mosbindja ndaj urdhërit të policisë së rendit publik”.

 

 

Exit mobile version