16.5 C
Tirana

Vjeshtë, përmbi oxhak t’nji shpijet t’braktisun

VENDI

~ nga David Boseta

Vjeshtë,
shtegtùen edhe zogjt e fúndit
tuj e lánë përgjysë kângën e jetës.
Pýjesh râ heshtja e arinjve që dúen gjumë,
e, hijénave që dúen tèrr.

Qytetet láhen me lot shiut.

Qiellin e shkyejn veç avjónat n’flutrim
që shkójnë e vijnë me udhtárë anonim,
me valixhet plot,
e zèmrat bosh.

Vjeshtë,
përmbi oxhak t’nji shpijet t’braktisun
lejléku i vetmúem ka bâ folenë,
a thúe se edhe áj e din
se n’at oxhàk s’ka me dál mâ tym.

Se, për me ndéz zjèrmin duhen njèrz
e ajo shpi nuk ka mâ askend,
veç do korniza n’mur t’vàruna shtrèmtë,
si shpresat e atyne që dijnë veç me ikë.

Ndoshta, si poet i dúe vjeshtat
por si shqiptar i urrej,
se vjeshtat e ikjes
bien veç dimen,
e dimnat e Shqipnisë jânë
t’acârtë.

Se n’shpijat e zbràzuna
kujtimet kanë ngri,
e zjèrmi n’oxhàk
prej vitesh
asht fikë.

Deri sa t’vijnë nji ditë
kur dikush t’kthehet prèp n’at oxhàk,
e ta ndezin zjèrmin bubulàk.

- Advertisement -

TE FUNDIT