10.5 C
Tirana

Tregëtimi në rrugë me rrezik aksidentesh, fermerët probleme me policinë

VENDI

Tregëtimit disa vjeçar të prodhimeve bujqësore në rrugë nga fermerët, duket se i ka ardhur fundi. Kjo dukuri që vihet re përgjatë rrugëve nacionale Korçë-Pogradec dhe Korçë-Bilisht po ndesh gjithnjë e më shumë reagimin e policisë rrugore dhe asaj bashkiake.

Nisur nga rreziku i aksidenteve automobilistike nga dalja në trupin e rrugës për të shitur prodhimet, ndaj fermerëve po ushtrohet presion për ti larguar nga kjo mënyrë tregëtimi.

Një tjetër ndërhyrje është ndërmarë nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar për të zbrapsur fermerët-tregëtarë nga pikat e shitjes dhe lirimin e rrugës. Me mbështetjen e policisë së rendit dhe asaj bashkiake po tentohet zhvendosja e bankinave apo tezgave ku ekspozohen për shitje prodhimet bujqësore.

‘Prania në anë të rrugës e fermerëve dhe ndalesat e parregullta të mjeteve për blerjen e prodhimeve të tyre janë një rrezik i vazhdueshëm aksidentesh. Trupi i rrugës duhet të jetë i lirë për të shmangur aksidentet, një numër të cilave janë regjistruar pikërisht në këto vende’ tha Gentjan Pere, përgjegjës i sektorit të ARRSH për zonën e Korçës.

Nga ana e tyre, fermerët e pranojnë se edhe vetë janë ndier të rrezikuar nga kjo formë tregëtimi në rrugë. Ata pretendojnë se këtë sakrificë e bëjnë ngaqë u mbeten pa shitur prodhimet e frutave dhe perimeve.

‘Tregëtarët e shumicës jo vetëm na afrojnë çmime të ulta, por e shesin prodhimin tonë dyfish. Sa fitojmë ne që punojmë gjithë vitin, fiton edhe tregëtari në pak ditë me prodhimin tonë’ ankohet një fermer që del të shesë me pakicë në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, te vendi i qujtur ‘Kthesa e Cangonjit’.

Nga sa ka konstatuar Autoriteti Rrugor Shqiptar, në dy akse kryesore nacionale të rajonit të Korçës, rezultojnë rreth 150 fermerë që tregëtojnë buzë rrugëve. Nga ARRSH u është kërkuar bashkive të Korçës, Maliqit e Devollit të sigurojnë vende të përshtatshme tregëtimi të fermerëve, ku të mos krijohet rrezik aksidentesh nga bllokimi i trupit të rrugëve.

- Advertisement -

TE FUNDIT