31.5 C
Tirana

Tërmeti vjen prej panikut

VENDI

Nga Frrok Çupi

Ndërsa po thonë se paniku erdhi prej tërmetit, në thellësi të lëkundjeve njerëzore po ndodh e kundërta: Tërmeti erdhi prej panikut; si në kuptimin e drejtpërdrejtë ashtu edhe në alegori…

Që ditën kur u paralajmërua një “tërmet apokaliptik”, domethënë që “po vjen fundi i botës”, autori ishte në kulmin e panikut personal.

Por ky është presidenti i Republikës; dhe ia doli. Jo se në vendin tonë ka një tërmet që shuan jetën- siç tha- por se në këtë popull që ai shinë lëmin, ka kuaj budallenj, skllevër të përulët, batakçinj që i bashkohen korit të korbave, të pa qytetari, të rrahur nga të mëdhenjtë e diktaturës komuniste dhe nga mashtruesit e lagjes, lajmëtarë servilë e monstruozë…

Ata që “e duartrokitën” presidencën komuniste 1945-90, paskëshin qenë më në të drejtën e zotit, se nuk kishin hapësirë tjetër. Këta që i grah në lëmë një president që iu tregon vdekjen e tmerrshme, këta nuk kanë as të drejtën e njeriut më të vogël…

Por ja ku jemi… Tërmeti u shfaq në pikun e panikut të presidentit të Republikës: Pas pak ditësh shkarkohet nga posti dhe i dorëzohet drejtësisë. Me tërmetin e dëshiruar ai po shprehte lëkundjen e ‘pllakave sizmike’ brenda shpirtit të ti; ai e donte gjithë kombin të digjej në ferr a në tërmet.

Një jetë e tërë në krye të korrupsionit, në rang të lartë paditurie, në papërgjegjësi totale, me një pasuri pa fund të vjelur nga populli, me një parti të neveritur gjobaxhinjsh. Tani i ka ardhur dita e fundit… Çfarë tjetër do t’i ofronte popullit armik? Tërmet dhe tallje…

Sa herë liderët shtetërorë të vendit janë vënë në panik për shkak të krimit kundër popullit, aq herë e kanë nisur popullin drejt ferrit; o drejt tërmetit, o drejt luftës civile, o drejt urisë dhe izolimit.

Në vitin e zi 1997, në kulmin e lëkundjes së pushtetit total të Partisë Demokratike, lidershipi shpiku “skemat piramidale”, humbi çdo pikë djersë të popullit në një gropë kushedi se ku, dhe pas kësaj hapen depot ushtarake që të vrisnin njëri tjetrin. U vranë 3000, nja njëqind e ca më shumë se në 11 shtator 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Në vitet ’60, kur udhëheqja komuniste ra në panik pse po zgjoheshin njerëzit dhe po humbte pushtetin, atëherë izoloi vendin, shpiku armikun e klasës, instaloi urinë dhe shtypjen, njoftoi se pas kësaj vetëm ‘ferri dhe tërmeti’ mund të jenë; asgjë tjetër.
Ja ku jemi sot: Nëse nuk do të ishte afruar Drejtësia e re, nëse aleatët

perëndimor me në krye Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin instaluar vendosmërinë për të pastruar krimin e kastave sunduese në këtë vend, atëherë nuk do të kishte as lajme për tërmet. Paniku i këtyre mund ta çojë kombin në gropën e zjarrit. Deri më sot ka reflektuar në ekstrem kryetari i shtetit. Gruaja e tij na ka paralajmëruar se ’Meta është një makinë politike’. Ka dëshmuar të vërtetën. Një makinë punon, shtyp e rrënon verbërisht, na e ka thënë të vërtetën gruaja…
Këtej erdhi “tërmeti” kësaj here, nga paniku i liderit.

Sa më shumë do të shtohen liderët që e gjejnë veten para greminës, aq më shumë lajme për ‘tmerr e tërmete’ do të kemi. Këta njerëz ‘të vegjël’ që zgjedhin dhe duartrokasin, ata i konsiderojnë budallenj, kavje që do të digjen në turrën e druve të ndezura për hir të liderit…
Vetëm atëherë ata shpëtojnë dhe ne zhytemi në gropën e tërmetit.

Përpjekja e tanishme është titanike: O do të mbahemi me zotësi në cep të greminës dhe ata të shkojnë ku janë nisur, o ata mbahen dhe ne nuk jemi…

- Advertisement -

TE FUNDIT