11.5 C
Tirana

SEKUESTROHEN 7 PASURI TË PALUAJTSHME NË BAJZË

VENDI

Sekuestrohen 7 (shtatë) pasuri të paluajtshme në Bajzë, njësia Kastrat, bashkia Malësi e Madhe.
Pas disa muajsh hetime të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë Hetimore të Task- Forcës Speciale Qendrore në Policinë e Shtetit, sot më datë 18.05.2018,
u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Shkodër, e cila pas kërkesës së organit të Prokurorisë kishte vendosur sekuestron preventive të
7(shtatë) pasurive të paluajtshme, tokë me sipërfaqe rreth 15500 m2 dhe ndërtesa social-ekonomike me sipërfaqe rreth 450 m2.
Sekuestrimi u krye në funksion të hetimeve të procedimit penal të vitit 2018, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,
parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Bazë për fillimin e këtij hetimi ka shërbyer njoftimi i ardhur nga autoritetet e Mali të Zi më 17 dhjetor 2017.
Atë ditë, 17 dhjetor 2017, rreth orës 16.00, autoritetet malazeze në kuadrin e operacionit “Mashtrim” (“Trick”),
arrestuan 12 persona, përfshi shtetasin shqiptar N.P. , banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si kreun e një organizate kriminale që vepronte në
Mal të Zi dhe që merrej me trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë këtij operacioni janë gjetur dhe konfiskuar 982 kg marijuanë, 1,7 kilogram heroinë dhe rreth 3 kg përzierës.
Sipas policisë malazeze, kjo organizatë kriminale dyshohet se kishte vepruar për një periudhë të gjatë kohore dhe veçanërisht aktive ka qenë që nga 01 janari 2016 në trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në nivel ndërkombëtar.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale të Malit të Zi, përfaqësues të së cilës u takuan me autoritetet ditën e fundit në Prokurorinë e
Shkodrës në funksion të hetimit të kësaj çështje dhe të ekzekutimit të Letër-Porosive së kërkuara në mënyrë reciproke nga autoritet gjyqësore të të dy shteteve.
Hetimi dhe sekuestrimi i aseteve është bërë pasi dyshohet se këto pasuri janë produkt i veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve.
Këto pasuri i ka ricikluar duke i tjetërsuar në emër të përsonave të tjerë, sidomos në emër të motrës, dhëndërrit dhe dajës së tij.
Zbatimi i vendimit të gjykatës për ekzekutimin e sekuestrimit u bë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër dhe
Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila mori në administrim pasuritë e sekuestruara.
Hetimet për këtë çështje vazhdojnë, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

- Advertisement -

TE FUNDIT