5.5 C
Tirana

Satirë/ Ngrohja e Ramës shkrin akujt

VENDI

Sapo mësojmë nga burime të mirëinformuara, se një katastrofë mjedisore e përmasave kolosale është duke u konsumuar në këto çaste që po flasim në selinë e qeverisë.

Selia e qeverisë sapo është përfshirë nga një ngrohje e papritur e kryeministrit Edi Rama, fenomen i cili rrezikon që t’i shkrijë në një nivel të frikshëm akujt e deritanishëm të marrdhënieve midis tij dhe gjithë botës që e rrethon.

Pas lajmeve të njëpasnjëshme për kapjen e tufave të peshkaqenëve në bregdetin shqiptar të Adriatikut, të shkrirjes së akujve polarë, të fuqizimit të suferinave, tajfunëve dhe uraganëve, një tjetër pasojë e ngrohjes globale është pikasur në habitatin e brishtë të politikës shqiptare.

Ngrohja e kryeministrit Rama po vijon me një shkrirje galopante të akujve në marrdhëniet e tij të acaruara me opozitën. Sipas burimeve të vakëta nga brenda qeverisë, ai së fundi është bërë “më i ngrohtë, më i qeshur, më komunikues me anëtarë të opozitës dhe më gjerë”, siç theksojnë burimet.

Shenjat e shkrirjes janë tashmë të vështira për t’u mbajtur sekret. Ngrohja klimaterike e zotit Rama po manifestohet tashmë haptaz. “Imagjinoni, më shkroi dje një letër të hapur vetëm që të më tregonte një barcoletë, nga ato që fillojnë me ‘një shqiptar, një italian dhe një amerikan ishin në një avion dhe…’, e keni parasysh”, raportoi për Maçokun shefi i opozitës Lulëzim Basha.

Si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe zhvendosjes së stinëve, mësohet se Rama ka informalizuar edhe mënyrën deri diku të ngurtë të komunikimit edhe brenda qeverisë. Burimet thonë se ai i hap mbledhjet me terma të zhargonit post-urban, duke iu drejtuar për shembull Erion Braçes me: “O gjigand, po ça ke bo nai gjo”.

Në ngrohjen e përgjithshme klimaterike të Zotit Rama, nuk mungojnë edhe shakatë e vockla, njërën prej të cilave ai është duke ia përgatitur në fshehtësi Erion Velisë me rastin e 1 qershorit. Kështu, ai do të propozojë enkas ndryshime në kodin zgjedhor ku kryetari i Bashkisë së Tiranës të jetë edhe kryeministër i ardhshëm, vetëm për të parë reagimin e Veliajt, në mënyrë që pastaj të qeshin përzemërsisht së bashku.

Sipas shefit të kuadrit në kryeministri Anxhelo Gagaçi, pozitiviteti dhe ngrohtësia që reflekton tashmë Edi Rama, ka reperkursion të menjëhershëm në gjithë ndjenjat e politikës vendase.

“Kur qesh ai, dritë bëhen zyrat tona që iu bëftë qeveria, iu bëftë”, deklaron nga ana e saj ministrja Belinda Balluku, njëra nga të vetmet që ende mban mend kohët e largëta kur Rama ishte ende një bllok akullnajor i saposhkëputur nga masivi i Antarktidës.

*Lajmi satirik është marrë nga faqja Maçoku i zi

- Advertisement -
- Advertisement -

TE FUNDIT