12.5 C
Tirana

‘Rikthehet’ Bill Gates me të tjera lajme të këqija për pandeminë Covid

VENDI

Sapo kishit nisur “të ndjeheshit mirë për rikthim në normalitet” pas dy viteve të fundit, Bill Gates vjen me lajme të reja për ju, shkruan e përditshmja britanike Metro.

 

Ish-njeriu më i pasur në botë i kthyer tashmë në ekspert të pandemive globale, thotë se Covid-19 nuk ka marrë fund, por përkundrazi “ende nuk kemi parë gjë akoma”.

 

Në një intervistë me Financial Times, Gates theksonte rrezikun e tmerrshëm nga variante të reja, dhe i ardhshmi sipas tij mund të jetë shumë i keq.

 

“Jemi në rrezik sepse pandemia mund të gjenerojë një variant që mund të jetë më i transmetueshëm e më fatal”, tha filantropisti.

 

Që kur është larguar nga industria e teknologjisë, Bill Gates është bërë ekspert sëmundjesh, duke punuar me vaksinat e duke studiuar polion e malarien me fondacionin ‘Bill and Melinda Gates’.

 

Ai madje ka shkruar një libër të titulluar Si të parandalojmë pandeminë e ardhshme.

 

Koalicioni i tij i epidemive CEPI është përgjegjës për shpërndarjen e vaksinave nëpër botë dhe ka financuar krijimin e injeksioneve AstraZeneca e Moderna.

 

Sipas Gates, planeti duhet të krijojë më shumë vaksina për të bllokuar infeksionin.

 

Dhe në fakt Gates e thotë këtë prej kohësh pasi që në vitin 2015, 64-vjeçari paralajmëronte se “katastrofa e ardhshme globale nuk do të shkaktohej nga lufta, por nga një virus”.

 

Asokohe ai ka thënë: “Nëse vjen diçka që vret më shumë se 10 milionë njerëz në vitet e ardhshme ka më shumë gjasa të jetë një virus sesa një luftë, pra jo raketa, por mikrobe”.

 

“Ne kemi investuar shumë në armët bërthamore si mjet presioni për të mos i përdorur, por nuk kemi investuar shumë në sistemin e mbrojtjes nga epidemia.

 

Edhe në vitin 2017 në një editorial për Business Insider, Gates përsëriti mesazhin e tij se një patogjen ajror mund të vrasë dhjetra miliona njerëz, në rastin më të keq.

 

“Nëse ndodh nga një kapriço e natyrës apo nga dora e një terroristi, epidemiologët thonë se një patogjen i shpejtë ajror mund të vrasë më shumë se 30 milionë njerëz në më pak se një vit. Dhe ka shumë gjasa që bota të jetojë diçka të tillë në 10-15 vjetët e ardhshme”, shkruante Gates në 2017.

- Advertisement -

TE FUNDIT