18.5 C
Tirana

Pse nuk kompensohen pronarët?

VENDI

Shteti i ka të gjitha mundësitë t’i kompensojë pronarët me mijëra hektarë tokë që ka në pronësi, ndërkohë që ka zgjedhur kompensimin financiar.
Tv Scan ka zbardhur analizën që i bën institucioni i Avokatit të Popullit çështjes së trajtimit të pronës, peng i të cilit janë 26 mijë subjekte në pritje të kthimit apo kompensimit të pronës. “Edhe pse janë të evidentuara mijëra hektarë tokë me regjim juridik “Shtet”, të mjaftueshme për zgjidhjen e çështjes së kompensimit në natyrë, kjo çështje sipas Ligjit nr.133/2015, është adresuar kryesisht për t’u zgjidhur me anë të kompensimit financiar.
Mosekzekutimi deri më sot i 26 mijë vendimeve me të drejtë kompensimi, të dhëna ndër vite prej Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve (AKKP), sot Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), ka bërë që ky proces të mbetet ende në kuadrin deklarativ”, thekson në analizë Avokati i Popullit. Ndërkohë që analiza shpreh rezerva të forta edhe mungesën e vullnetit për të ekzekutuar vendimet e njohura për kthim kompensimin e pronarëve.
Çështja e moszbatimit të vendimeve të gjykatave si dhe i vendimeve administrative, në lidhje me kthimin dhe/ose kompensimin e pronarëve ka qenë dhe mbetet një problem sistematik. ATP-ja edhe pse është urdhëruar të përmbushë detyrimin në të holla sikurse është vendosur nga gjykata, zvarrit pa shkak ekzekutimin e tyre, thekson Avokati i Popullit. E njëjta situatë vërehet dhe në procesin e ekzekutimit të vendimeve të dhëna prej Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, me palë shtetin shqiptar, i cili duhet të përmbushë detyrimet e vendosura në këto vendime, brenda afateve të përcaktuara.
Sipas Avokatit të popullit, detyrimi i parashikuar në pikën 1, të nenit 34, të Ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, për përfundimin e procesit të shqyrtimit të dosjeve që janë aplikuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që kanë qenë në proces shqyrtimi pranë ATP-së, brenda një afati 3 vjeçar nga hyrja në fuqi e ligjit, nuk është përmbushur nga ana e ATP-së.
Parashikimi i kryer në ligjin 133/2015, për detyrimin e ATP-së për të mos trajtuar me vendim kërkesat që mbështeten vetëm në një vendim gjyqësor të vërtetimit të faktit juridik të pronës, neni 27/3 i Ligjit 133/2015, vlerësojmë se nuk vjen në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative, si dhe nuk respekton të drejtën për një proces të rregullt ligjor, apo edhe të drejtën e pronës, vëren në analizë institucioni i Avokatit të Popullit.

- Advertisement -

TE FUNDIT