15.5 C
Tirana

“Politikanë të mbërthyer nga frika” Fatmir Xhafaj zbulon arsyen pse janë shtuar sulmet ndaj SPAK

VENDI

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj ka bërë një skaner të situatës në sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi komenton edhe me sulmet politike që herë pas herë i bëhen drejtësisë.

 

I vetëdijshëm për kritikat që do të kishte reforma në drejtësi, ai thekson se drejtësia po sulmohet nga ata persona, individë nga politika që po ju preket pushteti dhe kontrolli mbi sistem.

 

Sipas Xhafajt, këta persona janë mbërthyer nga frika e ndëshkimit prej mëkateve korruptive të shumta në këto tri dekada.

 

“Nuk jam i surprizuar aspak, padyshim kritikat do shtoheshin dhe ashpërsoheshin. S’kam pasur iluzione ndryshe kur e nisëm këtë proces kompleks, por përkundrazi. Kundërshtarëve të shumtë në nisje të këtij procesi kryesisht nga politika, tashmë u janë shtuar edhe të prekurit e reformës, nga radhët e vetë sistemit, individë nga politika që po ju preket pushteti e kontrolli mbi sistemin, persona të mbërthyer nga frika e ndëshkimit prej mëkateve korruptive të shumta në këto tri dekada, por edhe individë nga një pjesë e biznesit e medias së lidhur me botën e mëkatit korruptiv.

 

Padyshim edhe presioni i përhershëm nga krimi i organizuar një pjesë e të cilit jo vetëm është fuqizuar financiarisht, por edhe politikisht për shkak të lidhjes së interesave midis tyre. Pra është zgjeruar rrethi i njerëzve të prekur, të frikësuar dhe shqetësuar nga drejtësia e re pasi tashmë kanë kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur me këtë realitet të ri dhe kryesorja me pamundësinë e kontrollit ndaj tyre si dikur.

 

Natyrisht e gjithë kjo rrit presionin mbi sistemin e institucionet e reja të drejtësisë, shton përpjekjet për të deformuar e kontrolluar atë, përmes ndikimit apo edhe krijimit të perceptimit negativ mbi reformën, si dhe institucionet e reja të drejtësisë. Kjo është realisht për t’u vlerësuar e reflektuar nën gjykimin tim”, ka thënë Xhafaj në një intervistë për gazetën “Tema”.

 

Po ashtu Xhafaj, ndër të tjera u shpreh se duhet të marrë fund koha kur disa prej gjyqtarëve e prokurorëve gjenin strehim te dora e “ngrohtë” e pushtetit dhe politikanëve të caktuar duke shërbyer si lavatriçe e pastrimit të mëkateve korruptive.

 

“Kushtetuta ju garanton gjyqtarëve e prokurorëve (veçanërisht atyre të strukturave të posaçme) pavarësi reale, siguri, garanci e mbështetje të jashtëzakonshme krahasuar me vite më parë, duke pritur prej tyre integritet të lartë në detyrë, zbatimin e verbër, por dhe të drejtë të ligjit ndaj kujtdo. Ata duhet të ndryshojnë mentalitet, të fillojnë të mendojnë e veprojnë me këtë frymë dhe qasje të re në ushtrimin e detyrës. Duhet të marrë fund koha kur disa prej gjyqtarëve e prokurorëve gjenin strehim te dora e “ngrohtë” e pushtetit dhe politikanëve të caktuar duke shërbyer si lavatriçe e pastrimit të mëkateve korruptive”, ka thënë Xhafaj.

- Advertisement -

TE FUNDIT