8.5 C
Tirana

POLITIKA NGUSHËLLON PËR HUMBJEN E HAXHI FEJZI ZAGANJORIT

VENDI

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dhënë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Sheh Haxhi Fejzi Zaganjorit në moshën 76-vjeçare. Kreu i PD Basha përmes një mesazhi në rrjete sociale shkruan se:

“Me trishtim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Sheh Haxhi Fejzi Zaganjorit, simbol i patriotit dhe qytetarit shkodran, klerik i nderuar, mishërim i përkushtimit ndaj besimit në Zot dhe respektit e bashkëpunimit ndërfetar, personalitet me kontribute për Shkodrën e më gjerë.

Jam shpirtërisht pranë znj. Valdete, familjes Zaganjori dhe miqve të tij të shumtë në këtë humbje të madhe për ta dhe për Shkodrën. Sot humba një mik të çmuar, këshillat e urta dhe fjala e të cilit do të më mungojnë shumë. Zoti e mëshiroftë dhe i dhëntë paqen e përjetshme!”

Ndërkohë mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të haxhi Fejzi Zaganjorit kanë shpërndarë edhe drejtues rajonal e vendor në Shkodrës. Prefektja e qarkut Shkodër Majlinda Angoni shkruan se:

“Me humbjen e figurës së shkëlqyer të Haxhi Fejzi Zaganjorit, qytetarët dhe komuniteti mysliman Shkodër humbën udhëheqësin e tyre shpirtëror, qytetarin e denjë, aktivistin e zellshëm të harmonisë kombëtare i cili me frymën dinjitoze, shpresëdhënëse dhe zemërgjeresinë e tij lartësoi imazhin e fesë duke kontribuar në peisazhin tonë fetar me intelektualizmin dhe përultësinë e tij të sinqertë. Allahu e mëshiroftë me Xhehnet!”

Një mesazh ngushëllimi ka përcjellë edhe kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi:

“Shkodra humbi sot një vlerë të qytetit. Haxhi Fejzi Zaganjori ndërroi jetë duke lënë dhimbje e pikëllim tek familja, të afërmit, miqtë e shokët që e njohën nga afër por edhe prej larg.

Një zotni Shkodre, një klerik që rrezatonte paqe, mirësi dhe këshilla të vlefshme, nga sot do na mungojë të gjithëve. Unë dua ta kujtoj gjithmonë me një këshillë që ma përsëriste shpesh: “I madhi Zot të ndihmoftë, mos len derë pa kersitë për të drejtën”. Qofsh banor i xhenetit! Pushofsh në paqe Haxhi Fejzi Zaganjori!”

Drejtuesi politik i PD për qarkun Shkodër Helidon Bushati ngushëllon gjithashtu familjen dhe komunitetin musliman për ndarjen nga jeta të haxhi Fejzi Zaganjorit:

“Me hidhërim mësova ndarjen nga jeta të Haxhi Fejzi Zaganjorit, njeriut që hodhi themele të forta besimi dhe vlerash në tokën e Shkodrës. Jo vetëm familja, por të gjithë që e njohën Haxhi Fejziun janë në dhimbje sot. Përkushtimi dhe përulësia ndaj Zotit janë testamenti më i mirë që ai ka lënë pas.

Jeta e Haxhi Fejzi Zaganjorit do të qëndrojë mes nesh si shembull i mirësisë dhe i përpjekjes drejt së mirës.I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, familjes, miqve, të gjithë komunitetit musliman, Myftinisë Shkodër, por jo vetëm. Haxhi Fejzi Zaganjori ishte miku i mirë i të gjithëve. Ishte miku i mirë i Shkodrës!”.

- Advertisement -

TE FUNDIT