8.5 C
Tirana

Përçahet PS te “Siguria”, Sterkaj kundër partisë për burgun. Thumbon Lleshajn: S’ka faj populli që…

VENDI

ERVIN KOÇI/ Deputetët e Partisë Socialiste mbajtën dje qëndrime të përçara për sa i përket propozimit të PS-së për ndryshimin e Kodit Penal.

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, socialistët nuk mbajnë të njëjta qëndrime për sa u përket ashpërsimeve të Kodit Penal për rritjen e dënimeve me burg. Sërish deputeti Paulin Sterkaj, ishte ai që dha kritikat më të forta. Në fjalën e tij, ai theksoi se Kodi Penal nuk ka nevojë të ndryshojë dhe se propozimi për ashpërsimin e dënimeve penale me burg janë të panevojshme.

Ai theksoi se këto ndryshime nuk do të sjellin efikasitet pozitiv në zbatimin e tij në praktikë. Sterkaj vijojë më tej, duke theksuar se këto masa të dhëna do të sjellin rritjen e korrupsionit nëpër institucionet ligjzbatuese si Prokurori dhe Gjykata dhe jo parandalimin dhe uljen e kriminalitetit. Debati lindi te neni që fliste për ashpërsimin e armëmbajtjes pa leje, por diskutimi ndërmjet socialistëve kishte nisur edhe më herët, kur po shqyrtohej neni që fliste për dënimin e tifozëve, të cilët kryejnë gjeste antisportive apo edhe ato të sigurisë ushqimore.

Felaj: Është propozuar një ndryshim nga Ministria e Brendshme, që është bërë pjesë e draftit të propozuar nga deputetët, ku për nenin që bën fjalë për armëmbajtjen pa leje, është ndryshuar masa minimale e dënimit. Ka qenë 3 deri në 7 dhe propozohet që të bëhet 5 deri në 7 vite. Nuk e di nëse 5 deri në 7 vite është diapazoni i duhur?

Xhina: Nuk është i duhuri. S’e bëjmë dot pesë sepse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, s’e bën dot..

Shameti: Për mendimin tonë, varianti i paraqitur i përgjigjet proporcionalitetit të vet…

Sterkaj: Për mua, Kodi Penal është i mjaftueshëm nëse zbatohet. Nuk rregullohet asgjë nëse rritet masa e dënimit, përveçse rritet masa e korrupsionit. Unë nuk jam për dënime të ashpra, jam për politika të tjera. Nuk ka faj populli që ka armë në shtëpi; nuk ka faj populli se tjetri ikën të marrë një vendim pronësie dhe nuk ia japin; nuk ka faj populli që dikush ikën ta grabisë dhe s’ka prezencë Policie që ta mbrojë. Këtu duhet të bëhen politika të tjera për çarmatosjen e popullsisë. Nuk duhet të rritet masa e dënimit dhe të thuhet se është zgjidhur çdo gjë. Ne nuk e kemi përgjegjësinë për të rritur masën e dënimit, ne kemi përgjegjësi për të marrë masa parandaluese, për të gjetur forma dhe mënyra sociale, që popullsinë ta detyrojmë që të dorëzojnë armatimin që ka në shtëpi. Sepse armatimi i popullsisë është si rezultat i politikave të këqija të vitit 1997, që shteti nuk ka mbrojtur depot e armatimit dhe sot, me dashje apo pa dashje, mund të ketë armë në shtëpi dhe nuk e dinë. Fëmijët mund të gjejnë një armë në shtëpi që s’e dinë që e kanë. Nuk është rritja e masës së dënimit që rregullon sigurinë publike, duke dënuar njerëzit me burg. Do të ishte shumë më mirë që të gjejmë forma dhe mënyra të tjera që i kemi diskutuar, që të bëjmë politika sociale në këtë pikëpamje. Nuk jam për masa të rënda. Rritja e masës së dënimit nuk do të thotë se kemi kryer detyrimet ndaj popullit. Asgjë nuk kemi bërë. Unë jam që të ulet masa e dënimit dhe të ketë forma të tjera sociale. Nuk e kuptoj këtë frymën e këtij Kodit Penal, qenka për të dënuar njerëz dhe për të rritur dënimin. Ka shumë njerëz që janë kapur me armë pa leje dhe nuk kanë marrë as minimumin e dënimit, por kanë dalë me kushte të tjera. Duhet klasifikuar pak më ndryshe sepse mund ta ketë armën një person që nuk ka asnjë lloj problemi, por i gjendet arma dhe duhet të shkojë 5 vite në burg ai? Do të ishte më mirë që të ketë një diapazon më të madh.

Felaj: Neni i armëmbajtjen pa leje është një nen, në të cilin është ndërhyrë disa herë në Kodin Penal, është e sigurt…

Sterkaj: Nuk ka rregulluar asgjë deri më sot…

Felaj: Nuk ka siguruar për shkak se nuk është arritur që të ndërtohet një politikë e unifikuar në shkallë vendi ose është bërë në mënyrë të njëanshme. Ka pasur një periudhë kohe kur Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi të gjitha prokuroritë në vend të kërkonin që si masë dënimi për armëmbajtje pa leje, të ishte jo më pak se 3 vite burg. Kjo ishte minimalja dhe prokurorët ishin të detyruar të mos shkonin më poshtë në pretencën e tyre. Një gjë e tillë u kërkua për të arritur maksimumin e efektivitetit të zbatimit të ligjit sa i takon kësaj vepre penale. Nuk ka qenë e njëjta përgjigje nga Gjykata, sepse ato kanë mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga ajo që është mbajtur nga Prokuroria. Ndërkohë, më duhet të konstatoj diçka tjetër. Ky është nen që është ndryshuar disa herë dhe ka ndërhyrë edhe Gjykata Kushtetuese.

- Advertisement -
- Advertisement -

TE FUNDIT