10.5 C
Tirana

Për Edi Ramën dielli lind dhe perëndon në Surrel!

VENDI

Kreu i shtetit Ilir Meta dje i dha një mesazh kryeministrit Rama pas dështimit me hapjen e negociatave. Nga takimi me presidentin maqedonas, Meta tha: Është e rëndësishme të reflektojmë të gjithë.

Kemi një reflektim në Maqedoninë e Veriut përmes një zgjidhje të caktuar politike. Kjo është zgjidhja e tyre, tregon dhe pjekurinë e tyre politike dhe demokratike. Natyrisht që dhe tek ne ka mjaft rëndësi të kemi një reflektim të menjëhershëm dhe lexojmë me vëmendje të gjitha ato detyrime që duhet t’i kishim përmbushur dhe që duhet t’i përmbushim.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet të cilat u dëmtuan nga vetoja e Francës, qëndrimi i Holandës dhe Danimarkës kundër hapjes së negociatave. Mënyra sesi po sillen qeveritë e dy shteteve fqinje pas këtij refuzimi të një pjese të BE është krejt e ndryshme.

Maqedonia e Veriut, një shtet që është vlerësuar për reformat e brendshme dhe marrëveshjen me Greqinë, edhe pse ishte më e favorizuara në Këshillin Europian për t’i çelur negociatat, vendosi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, qeveria “Rama” në Tiranë me një bilanc negativ reformash dhe me krizë të rëndë politike, nuk e sheh refuzimin e negociatave të problemet e brendshme të saj, por fajëson Francën dhe vendet e tjera për bllokimin. Kjo papërgjegjshmëri e qeverisë, jo vetëm solli bllokimin e negociatave më 18 tetor, por nëse vijon në këtë mënyrë mund të shkaktojë dhe dështim fatal në takimin e radhës së BE-së për Ballkanin, në maj 2020.

Lidhur me situatën e re të krijuar pas bllokimit të negociatave, ku kërkohet një reagim i gjithë klasës politike për të shmangur skenarët më negativ, ka reaguar dje kreu i shtetit Ilir Meta. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidenti Meta ka kritikuar gjithë klasën politike, si dhe ka shigjetuar kryeministrin Edi Rama. Presidenti ka kërkuar reflektim nga gjithë faktorët politikë duke sjellë shembullin e Maqedonisë së Veriut, e cila shkoi në zgjedhje të parakohshme për të konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e qytetarëve ndaj reformave.

Mesazhi i Presidentit Ilir Meta duket se shkon direkt për kreun e qeverisë “Rama”, i cili pas më shumë se një jave nga bllokimi i negociatave, ende akuzon si fajtore vendet e BE për rezultatin negativ. Ndërkohë që Shqipëria ka mjaft probleme të cilat kërkojnë zgjidhje emergjente dhe nuk varen nga vendet e Bashkimit Europian.

Standardi i vendosur nga Zoran Zaev me futjen e vendit në zgjedhje të parakohshme duket se e shqetëson më shumë se çdo gjë tjetër Edi Ramën. Këto javë në PS vetëm dy kanë qenë shqetësimet kryesore. E para si të fajësojnë Francën dhe e dyta, si të tregojnë se situata në Maqedoni nuk është e njëjtë si në Shqipëri dhe ndaj këtu s’mund të ketë zgjedhje. Por qëndrimi i Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrit Zoran Zaev nuk lë shumë vend për justifikime.

Kryeministri i Maqedonisë është politikani që aktualisht ka mbështetjen më të madhe ndërkombëtare në Rajon, edhe për shkak të zgjidhjes së krizës me Greqinë. Megjithatë edhe pse ndodhet në kuotat më të mira dhe pa asnjë presion, Zaev vendosi të shkojë në zgjedhje duke respektuar kërkesën e opozitës. Ndërkohë kryeministri Edi Rama drejton vendin që ndodhet në krizën më të rëndë të viteve të fundit, e megjithatë nuk sheh si zgjidhje për dalje nga situata zgjedhjet e parakohshme. Duke mos pranuar as standardin e Maqedonisë së Veriut, Edi Rama po dëmton edhe më tepër procesin e integrimit, pasi kriza nuk duket se është drejt zgjidhjes.

Veç kësaj, Presidenti Meta shprehu kritika dhe për mënyrën sesi po sillet mazhoranca ndaj vendeve që kanë shprehur rezerva për Shqipërinë, Francën, Holandë, Danimarkën dhe Spanjën. Presidenti ka kërkuar vendosjen e kontakteve më të ngushta me këto vende, në rrugë institucionale, për t’i sqaruar për zhvillimet në Shqipëri dhe për rëndësinë që kanë ata. “Duhet të forcojmë raportet dhe bashkëpunimin me vendet që kanë qenë më kritike, përfshirë Francën, Holandën, Danimarkën, Spanjën apo çdo vend tjetër. Duhet t’i bindim për seriozitetin tonë, për të adresuar shqetësimet e tyre.

Nuk mjafton të themi që Franca apo Holanda ka këto probleme të brendshme dhe po na përdor ne, në rast se ne jemi një burim i shqetësimeve të brendshme të tyre, përsa i takon emigracionit, azilkërkuesve, përsa i takon dhe problemeve të krimit të organizuar, në veçanti përsa i takon Holandës. Ne duhet të reagojmë me shumë përgjegjshmëri dhe në mënyrë mjaft të besueshme, në mënyrë që të gjitha këto shqetësime të shuhen në javët dhe muajt që vijnë”,– deklaroi Presidenti Ilir Meta.

Ndaj marrja si shembull nga Presidenti Meta e kryeministrit maqedonas ishte sinjal kritik ndaj kryeministrit Rama që nuk pranon asgjë.

Por për Ramën dielli lind dhe perëndon në Surrel!

Vetëm kryeministri shqiptar nuk don të kuptojë se ka qeverisje problematike, se ka varfëruar popullsinë, se ka një oligarki e cila drejton vendin për llogari të biznesëve të tyre, se nuk ka demokraci parlamentare dhe se nuk ka media të lira, por të lidhura me fijet e interesave të kryeministrit.

Mili Xhani

- Advertisement -

TE FUNDIT