22.5 C
Tirana

Ndodhi nga viti ’45/ Si shqiptari i fali opingat e reja ekzekutorit para se ta pushkatonte: Merri, gjynah të kalben

VENDI

Nga Çapajev Gjokutaj
Këtë ndodhi ma ka treguar një mik i moshuar, gati dy dekada më parë:
…..
Një ditë të vitit ‘45, rastësisht mora vesh vendin ku, në mbrëmje do bëheshin pushkatime.
Adoleshent kurioz, vajta herët dhe u fsheha në një shqopishte.
Erdhën kur po binte muzgu. Ishin tre të dënuar dhe pesë partizanë të armatosur.
Më ka mbetur në mend njeri. Plak në të 60-at, kishte veshur një palë opinga të reja.
Sa i zgjidhën duart, i hoqi dhe ia zgjati njerit prej ekzekutorëve, djalë i ri e trupmadh: Merri, i tha, gjynah të kalben.’
Miku që më tregonte këtë ndodhi ishte mjek, profesor mjaft i njohur.
S’do mend që kishte qenë i pranishëm në dhjetra pragvdekje. Por duket se përshtypja, që i kishte bërë kjo, ua kalonte të gjithave.
Parë hollë, historia e plakut, që i fali opingat ekzekutorit, nuk është histori për vdekjen, por për shpirtin.
S’thonë kot: rrëfenja ze fill atje ku shfaqet shpirti, metafizika e qenies.
Për çfarë shpirti flet, do prishte buzët ciniku, materializëm ekstrem thuaj. Varfëria të shtyn të fetishizosh sendet.
Të mungojnë, rropatesh që t’i kesh, ndaj dhe i shenjtëron. Si plaku opingat.
Mos ji kaq i sigurt, do ia priste tjetri, plaku mund të ketë qenë besimtar. Donte të bënte edhe një sevap, të fundit, para se të ikte te i Madhërishmi.
Unë e shoh ndryshe, do thoshte i treti. Plaku pa këpucët e grisura të partizanit të ri, iu kujtua i biri, rritur me të keq.
Dhe, mes dhimbjes këlthitëse se s’do ta shihte më dhe se nuk e kishte përkëdhelur sa duhej, e mishëroi tek ai që kishte përballë.
Interpretimet mund të jenë të shumta, ca më pranë të vërtetës, ca më larg. Por një gjë mbetet:
Njeriu është univers ndjenjash e arsyesh. Vështirë se mund t’i njohim të gjitha. Në këto rrethana, a kemi të drejtë ta vrasim, çfarëdo që të ketë bërë?
( Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ )

- Advertisement -

TE FUNDIT