17.5 C
Tirana

Ndërtoi çezmë në vend të mirë për vajzën autike, gjobitet me 5 milionë lekë

VENDI

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës veprimet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Gjirokastër, institucion i cili i ka vendosur një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra një personi që kishte ndërtuar një çesmë publike. Kosta Goxha kërkoi ndihmën e emisionit “Fiks Fare” se, vitin e kaluar, gjatë pandemisë ka rregulluar çesmën e besimtarëve në lagjen Kordhocë, si bamirësi për komunitetin dhe për vajzën e tij autike.

 

“Vitin e kaluar fillova të ndërtoj një çesmë për besimtarët e kësaj zone. Ne kemi festën e Ujit të Bekuar dhe i gjithë fshati jonë vinte në këtë vend, në Kordhocë. Është një ‘vend i mirë’ dhe më parë në këtë vend ka qenë vetëm një depo ujëmbledhëse.

 

Unë e sistemova me gurë. Në fillim i preva disa metra më larg dhe më pas, me ndihmën e komunitetit, i ngjita deri këtu” thotë Kosta, ndërsa tregon edhe çesmën që është në një kodër, ku një pjesë e rrugës është shumë e keqe dhe me pjerrësi të madhe. “Më kanë dhënë para’ edhe banorët e kësaj lagje, pasi ishte për qellim të mirë. Unë e ndërtova për qetësinë e familjes sime. Kam një vajzë autike dhe e bëra për qëtësinë e familjes sime” vijon ai, ndërsa shton se më parë vendi ishte me baltë.

“Unë vetëm sa sistemova rrjedhën e ujit. E bëra të gjithën me krahë. Nga gurët, te tubët madje edhe te projekti. Të gjithin vetë. Por, një ditë më vijnë këtu policë bashkiakë, të rendit. Ata të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit. Sikur të kisha bërë ndonjë gjë. Më shoqëruan në polici, më mbajtën disa orë. Sikur të isha kriminel. Dhe tani më ka ardhur një shkresë nga IMT që më kanë vendosur një gjobë 5 milionë lekë të vjetra. Ku t’i gjejë këto para. Unë e ndërtova për qetësinë shpirtërore dhe për të lënë diçka pas. Madje, edhe gjatë pandemisë” thotë Kosta.

Pas ankesës, grupi i Fiks Fare udhëtoi në fshatin Jorgucat, në banesën e z.Kosta Goxha. Ai i tregon gazetarëve se vajzën 26 vjeçe e ka me aftësi të veçanta. Aq e veçantë është sa ka bërë me dhjetëra piktura. “Është autike dhe bën piktura. Në fillim bënte disa vizatime ndërsa tani vetëm piktura. I radhit dhe i sistemon gjërat e saj. I kemi vendosur kudo të gjitha pikturat. Jemi me fat që e kemi. Përpos problemeve, na ka bërë njerëz më të mirë. Djali e kuptoi këtë aftësi. Ajo nuk flet dhe bën piktura. Unë çesmën për këtë e bëra. Për qetësinë e familjes sime. Asnjë gjë më shumë” thotë Kosta.

Fiksi bisedoi me kryeplakun e Jorgucatit, i cili tha se është një familje në nevojë. “I gjithë ai komunitet ka një ditë të veçantë ku festojmë për Ujin e Bekuar. Shkojnë në Kordhoc dhe Kosta e ribëri çesmën. E rregulloi rrjedhën e ujit. Të gjithë ne e dimë se e bëri për qetësinë e tij. Për vajzën. E ndihmuan edhe të tjerët me ndihma. Po i kanë vënë 5 milionë lekë gjobë. Ku ti gjejë ai” thotë kryetari i fshatit.

Fiks Fare bisedoi edhe me ish-kryeinspektorin e IMT-së, Bexhet Baxhella. Ai thotë se është në dijeni të problemeve sociale të z.Goxha, por e ka vendosur sipas ligjit pasi atje ishte vendosur tulla dhe llaç. Gazetarët e pyesin se për ndërtimin e asaj çesme kanë kontribuar të gjithë. Madje, edhe punëtorë të tjerë. Ai pohon se, me aq informacion sa ka arritur të mbledhë, ka rezultuar se z.Goxha ka qenë investitor.

 

Dhe të tjerët e kanë ndihmuar. Fiksi e pyet se ku e mori këtë informacion, ndërsa na thotë se për atë ndërtim është lajmëruar nga policia bashkiake dhe lokale dhe ka vepruar konform ligjit. Në fund, Fiks Fare e pyet se çfarë do të ndodhë me çesmën dhe a do të prishet pasi është “ndërtim pa leje”? Z.Bexhet përgjigjet se nuk do të prishet “nuk parashikohet në ligj, ai ndërtim do të konfiskohet në favor të bashkisë!”./tch

- Advertisement -
- Advertisement -

TE FUNDIT