6.5 C
Tirana

Meta anuloi zgjedhjet/ PS merr masa për shkarkimin e tij

VENDI

Pas vendimit që mori Presidenti i Republikës, Ilir Meta lidhur me çdekretimin e dates së zgjedhjeve, që ishin planifikuar të bëheshin në datën 30 qershor, Partia Socialiste e ka kundërshtuar këtë vendim duke e quajtur antikushtetues.

Sipas PS, vendimi është i njëanshëm dhe pa bazë ligjore prandaj mësohet se mazhoranca ka vendosur ta shkarkojë Presidentin e Republikës, sepse, sipas tyre, ka bërë një shkelje të rëndë të Kushtetutës, raporton Shqiptarja.com.

Sipas nenit 90 të Kushtetutës, “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.

Për të shkarkuar Presidentit Kushtetuta thotë se “propozimi duhet të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.”

Megjithatë, Kushtetuta parashikon gjithashtu se vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila bën verifikimet e duhura nëse Presidenti është i fajshëm apo jo duke proceduar më pas me shkarkimin e tij nga detyra në rast se vërtetohet fajësia e tij në lidhje me shkeljen e Kushtetutës.

Siç dihet, Gjykata Kushtetuese është jofunksionale sepse anëtarët e saj janë rrëzuar nga Vettingu.

Megjithatë, mësohet se, PS pritet ta shkarkojnë Metën me vota në Parlament, ndonëse ky vendim nuk mund të verifikohet nga Kushtetuesja dhe për rrjedhojë nuk mund të zbatohet. Pra Ilir Meta do të jetë një President i shkarkuar nga Parlamenti, por që do të mbetet në detyrë deri kur të funksionojë Gjykata Kushtetuese.

Ndonëse për mazhorancën i shkarkuar, Ilir Meta mund të ndërmarrë akte si President, deri në momentin kur të funksionojë Kushtetuesja dhe të shprehet për ligjshmërinë e vendimit të shkarkimit. Ndërkaq, nëse PS do të finalizojë shkarkimin e Metës në Kuvend, nuk përjashtohet mundësia që Meta të largohet nga Presidenca dhe të rimarrë drejtimin e LSI, pa pritur verifikimin e ligjshmërisë së vendimit të shkarkimit nga Kushtetuesja e re.

Vendimi që mori mbrëmjen e djeshme lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve pritet që t’i kushtojë Metës shkarkimin nga posti i Presidentit.

PS ka nisur menjëherë menjëherë lëvizjet për të mundësuar shkarkimin e Ilir Metës nga Kuvendi si President, për shkelje të rëndë të Kushtetutës./CNA.al

- Advertisement -

TE FUNDIT