14.5 C
Tirana

“Më ra vajza në mes të rrugës, mora doktoreshën në telefon: Dil se po më vdes”

VENDI

Jasemina Luarasi u nda nga jeta në 17 prill 2020, në moshën 21-vjeçare. Shkaku i vdekjes është përcaktuar arrest kardiak, por se pse erdhi kjo situatë, nuk shpjegohet.

 

Jasemina kishte lindur me mungese të qiellzës (palatoksinë), por falë disa ndërhyrjeve kishte korrigjuar këtë problem. Megjithatë, kjo anomali i krijoi probleme me shëndetin mendor. Në fillim të muajit Prill, Jasemina u sëmur nga një infeksion në vesh. E ëma tregon, se ka qenë gjithë kohën në komunikim me mjeken e familjes, e cila i ka dhënë trajtim përmes telefonit.

 

Por gjendja nuk u përmirësua dhe infeksioni kaloi në mushkëri. Megjithë përpjekjet e mamasë, Jasemina nuk ia doli, ndaj Luli Luarasi tha se askush nuk u tregua i gatshëm të ndihmonte vajzën e saj, për shkak të situatës së pandemisë.

 

“Më iku goca kot, për pakujdesi. 2 javë e gjysmë, 3 javë nuk erdhi me ma pa kush. Vajza mua më ka vdekur para 3 javësh, 21 vjeçe. Vuante me palatoksinë. Veshin po ashtu e ka pasur problem gjithmonë. Para tre javësh, në darkë, shihja se ktheheshe nga unë dhe ma hidhte dorën. Nuk flinte pa mua. E shikoja që goca rënkonte në darkë, nuk më tregonte, por nuk flinte më nga ana ime. Mbas katër ditësh shoh unë që pati rrjedhje veshi. Marr doktoreshën time të familjes, dhe i them se i ka rrjedhur veshi. Me tha merri mjekimin qe i ke marrë gjithmonë nga veshi.

 

Mora ilaçet e veshit. Pas tre ditësh, vajza filloi si kollë. Marr doktoreshën prapë. E pyes a t’i bëjmë ndonjë antibiotik, sepse unë jam bërë doktoreshë e vajzës. Një natë goca ishte për në banjë, ishte zbardhur dhe po dridheshe. I vendos termometrin dhe kishte temperaturë 40 e 5 vija. Doktoresha më tha merr 127. 127 më tha jepi paracetamol dhe lidhu me mjekun e familjes. Mjekja e familjes më tha do marrësh ca kokrra se mos ka alergji. Mora kokrrat, ia fillova kokrrat, por goca sa vinte dhe më keq bëhej”, tha nëna e 21-vjeçares, Luli Luarasi.

 

“Stop” ka siguruar dëshmi të stafit mjekësor, ku provohet se si është rënduar situata e të ndjerës, si pasojë e mosmjekimit të duhur. Mjekja e familjes pranon, se e ka konsultuar Jaseminën me telefon nga frika e koronavirusit. Në ambulancën 11 nuk e vizituan me pretendimin, se mjekja ishte pediatre, ndërsa vajza 21 vjeçe.

 

Emisioni “Stop” ndoqi hap pas hapi se çfarë ka ndodhur me këtë rast, duke iu përafruar të vërtetës. Jasemina, e cila banonte në Laprakë është ndjekur nga mjekja e familjes nga data 1 deri më 16 Prill, por ekzaminimi është bërë vetëm nëpërmjet telefonit.

 

“Me datën 8 unë kam marrë urgjencën dhe më ka thënë do t’i japësh paracetamol. Kam marrë rajonin e policisë dhe i kam kërkuar ndihmë, sepse nuk më vinte urgjenca”, tha Luarasi.

 

- Advertisement -

TE FUNDIT