10.5 C
Tirana

Mbreti i hip hop-it rrëzohet nga froni, Getoar Selimi, kryqëzohet edhe nga miqtë për projektin e fundit

VENDI

Getoar Selimi i njohur si Ghetto Geasy, së bashku me Majk dhe Ermal Fejzullahun, sollën para dy ditësh projektin më të ri muzikor, që ka hasur jo pak kundërshti edhe nga miqtë.

Kënga e re e titulluar “Para Para” nuk u prit edhe aq mirë sa mendohej, ndërkohë që vetë lideri i “Babastars”, i vetëshpallur si MMV (Më i madhi në vend), është etiketuar si mbreti i hip hop-it, tashmë i rrëzuar nga froni. Arsyeja pse u kritikua kjo këngë e re nga shumë fansa ishte sepse u tingëllonte shumë përsëritëse dhe e dëgjuar më parë.

Gjithashtu, fansat u shprehën se ata ishin lodhur duke dëgjuar të njëjtën këngë për disa vite, nga artistë të ndryshëm. Por jo vetëm fansat e kanë kryqëzuar Getin, por edhe miqtë e tij të ngushtë, mes të cilëve Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.

Përmes një story në “Instagram”, ai ka shkruar se reperi dikur ka qenë IN, mirëpo tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe ka më shumë të talentuar se sa ai.

“Gjysh, ta japim dorën për ç’ka ke qenë dhe realisht pa hy në muzikë, të kemi dëgju. Mirëpo, gjërat ndryshojnë, vijnë më të mirë dhe më të talentum, edhe pse jo kanë ide më të mrekullueshme dhe bëjnë publikun për vete. Ka po shkon ky hip hop 2 metra nën tokë”, ka shkruar Stresi.

Por duket se Ghetto Geasy, i cili zakonisht qëndron indiferent, ka vendosur të reagojë kësaj here në rrjete sociale pas gjithë zhurmës së shkaktuar në rrjete. Ai ka publikuar disa foto, shkëputur nga xhirimet e videoklipit, krahas të cilave shkruante: “Ai që repovat edhe përmbi tarabuka”, duke dashur të nënkuptojë se ai e ka talentin dhe nuk ka rëndësi shumë me çfarë melodie e përshtat tekstin e tij.

Kujtojmë që këto projekte të Getit komentohen jo pozitisht, dy vite pas përçarjes së grupit të tij “Babastars”. Fillimi i vitit 2019 nisi me përçarjen e djemve repera të grupit më të famshëm nga Kosova “Babastars”, me lider Getoar Selimin.

Ndërkohë që Getoari ndodhej për disa pushime përrallore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me bashkëshorten Marina Vjollca, në Prishtinë grupit të tij po i dilte tymi. Ortakët dhe miqtë më të ngushtë, edhe jashtë muzikës, po e tradhtonin një nga një, duke deklaruar hapur në media largimin masiv nga “Babastars”, dhe duke shpallur fajtor për këtë përçarje, pikërisht liderin e tyre.

Skivi e Cozman e zyrtarizuan largimin, teksa Agon Amiga po ashtu shfaqi hatërmbetje. Por ndërkohë që flitej për shpërbërjë, Getoari po përpiqej ta rindërtonte “Babastars” me risi me projekte të reja në studio, me postimin e fotove me menaxherin Dekorim Sahiti, Majkun e Onat.

E më shumë se sa një foto në studio, duket se Getoari e e postoi këtë moment, duke qeshur për t’u dhënë një mesazh “armiqve” se grupi vazhdon të jetë në këmbë. Edhe pse anëtarët numërohen tashmë me gishtat e një dore, ata duken më të konsoliduar se kurrë. Ndryshimi i fundit i anëtarëve të “Babastars” ndodhi në 2016- n, vit kur u bënë publike emrat e anëtarëve të rinj.

Grupi “BabaStars” në 2016- n përbëhej nga menaxherët Dekorim Sahiti & Petrit Kllokoqi, si dhe këngëtarët: Getoar Selimi-Ghetto Geasy (lider), Agon Sylejmani, Agon Amiga, Visar Shala Skivi, Kastriot Rexha-Majk, Onat Shufta-Onat, Ylber AbdullahuCozman. Aktualisht, duket se besniku i vërtetë i Getoar Selimit mbetet Majk, edhe pse emri i tij u përfol i pari për largim nga grupi.

Hyrja në krizë e “Babastars” përkoi me martesën e Getoar Selimit me Marina Vjollcën. Sipas kolegëve, përkushtimi i tij ndaj familjes së re dhe udhëtimet e shpeshta me partneren bënë që Getoari t’ia varte grupit, duke i bërë anëtarët të ndjeheshin të papërfshirë në produksione apo koncerte.

GETOAR SELIMI DHE JETA PREJ MILIONERI SI CEO I “BABASTARS”, NGA LARGIMI I AKSIONERËVE TE RIMËKËMBJA ME MAJKUN NË KRAH

Por “Babastars” nuk është thjesht një grupim reperash, por një biznes i madh fitimprurës. Ishte pikërisht Cozman ai që publikoi i pari dokumentet zyrtare, ku zbuloheshin të gjithë aksionet.

Drejtor është Getoar Selimi, i cili zotëron dhe pjesën më të madhe të aksioneve 39 %. Më pas, vinin ish-anëtarët e tjerë si: Agon Sylejmani (Agon Amiga) me 22%, Visar Shala (Skivi) me 27%, Ylber Abdullahu (Cozman) me 8%, Asdren Zogaj (Dj Marshall Jungle) me 4%. Nuk dihet nëse krahu i djathtë i Getoarit, Majk, ka blerë aksione për të punuar tani e tutje si ortak i grupit.

Miqtë e tyre të afërt e kanë konsideruar Majkun si partnerin besnik që i dha një dorë të mirë ndihme Getoarit në rimëkëmbjën e grupit.

Investimin dhe fitimet më të mëdha i ka pikërisht Getoar Selimi, i cili si një CEO i “Babastars”, sipas mediave të Kosovës, bën një jetë të vërtetë milioneri.

Sipas të njëjtave burime, lufta mes aksionarëve repera nisi pikërisht për ambicien e secilit për të fituar më shumë protagonizëm në skenën e muzikës dhe më shumë para./Panoramaplus.al

- Advertisement -

TE FUNDIT