18 C
Tirana

Kthim në Shkodër / Entela Tabaku Sörman

VENDI

Unë të njoh
unë të di
lidhe kalin
mbështeti armët
hiqe parzmoren
përkrenaren
maskën e hekurt
a u lodhe
bijë?
2.
Rrugët e reja janë rrugë të vjetra
e njëjta jehonë t’i percjell
hapat
vitrinat e reja janë vitrina të vjetra
i njëjti reflektim ta shoqëron
shëtitjen
fytyrat e reja janë fytyra të vjetra
e njëjta buzëqeshje ta përqafon
përshëndetjen
fjalët e reja janë fjalë të vjetra
i njëjti zgju bletësh ta komenton
jetën
gjithshka asht e re
gjithshka asht e njohun
ulu
çfarë don me hangër
bijë?
3.
Unë jam aorta jote
gjaku pastrohet
mbushet me oksigjen
përtërin
deri edhe majat e thonjve
deri edhe bishtat e flokëve
unë jam kryqi jot
as nuk më hedh tej
në harresë
as nuk kryqëzohesh
duke ndenjtë
me peshën teme në shpinë ke ikë
ulu
çfarë don me pi
bijë?
4.
Ti më njeh
ti më din
ti m’i din ndasitë
dyert e mëdha dhe dyert e vogla
dyert e zbrituna dhe dyert e ngjituna
dyert pa oborr dhe oborret pa dyer
ti m’i din meloditë
kangët e mëdha dhe kangët e vogla
kangët e zbrituna dhe kangët e ngjituna
kangët pa oborr dhe oborret pa kangë
ti m’i din të fshehtat
rrenat e mëdha dhe rrenat e vogla
rrenat e zbrituna dhe rrenat e ngjituna
rrenat pa oborr dhe oborret pa rrena
ti më din
ti më don
ti je unë
unë jam ti
a po shkon?
sa shpejt
bijë!

- Advertisement -
- Advertisement -

TE FUNDIT