13.5 C
Tirana

Krenaria e Shkodrës festoi 74-vjetorin

VENDI

Aktorja e shquar e skenës shqiptare, Zyliha Miloti feston sot 74 vjetorin e lindjes.

Ka qenë Teatri Migjeni në Shkodër që e ka uruar aktoren, duke shprehur dëshirën për ta patur sa më shumë në skenë.

Zyliha Miloti e ka filluar karrierën në moshën 20 vjeçare në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës pranë teatrit “Migjeni”.

Galeria e personazheve që krijoi dhe eksperienca e saj, bënë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar.

Rreth 60 vite karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 260 premiera. Përveç këtyre ajo ka marrë pjesë në teatrin e dramës dhe në një numër të madh filmash të kinostudios “Shqipëria e re” dhe të atyre pas viteve ’90.

Zyliha Miloti ka pasur fatin e madh që ka punuar me një plejadë artistësh të mëdhenj, regjisor e shkrimtarë në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës pranë teatrit “Migjeni”. Ajo gjeti një grup aktorësh të paarritshëm.

Ka qenë regjisor i ndjeri Paulin Sekuj i cili ka punuar për një kohë të gjatë me Zylin, pastaj kanë vazhduar të tjerë regjisor të mëdhenj si: Serafin Fanko, Edmond Mhilli, Zehrudin Dokle, Arjan Çuliq, Stefan Çapaliku, Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, Fatbardh Smaja, Bruno Shllaku etj, si dhe shkrimtarët Fadil Kraja, Kolec Pepa, Paulin Selimi e të tjerë.

Nuk harrohet dyshja e humorit Tano Banushi – Zyliha Miloti, për 25 vite me radhë dhe më vonë me aktorin Paulin Preka që janë padyshim maja e estradës shqiptare.

Aktorja është vlerësuar me disa çmime, tituj dhe shpërblime. Artiste e Merituar, “Gruaja e vitit 2000-2001″ nga Instituti i Biografive në Kembrixh të Anglisë, duke u zgjedhur mes 2000 personaliteteve botërore.. Ka marrë çmime në “Ditët e humorit”, pastaj çmimin “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin “Për kontribut të shquar në artin skenik dhe interpretim me nivel të lartë në gjininë e humorit”: “Mjeshtre e Madhe ”, dekoruar nga Presidenti i Republikës.

- Advertisement -

TE FUNDIT