12.5 C
Tirana

Kamza apo Vllaznia? Nga Shehi te Sefa, kapitenët e Superiores japin verdiktin e tyre: Ja cila skuadër bie nga kategoria

VENDI

Tashmë kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i këtij sezoni futbollistik në Kategorinë Superiore.
Ende nuk është dhënë verdikti përfundimtar për skuadrën që do i bashkangjitet Lushnjes në Kategorinë e Parë. Kamza dhe Vllaznia janë në “luftë” për qëndrimin në elitë.
Kamzalinjtë janë më të favorizuar pasi ndodhen 5 pikë para shkodranëve, megjithatë shpesh herë futbolli na ka treguar që zë vend shprehja “kurrë mos thuaj kurrë”.
Newsport.al ka kontaktuar të gjithë kapitenët e ekipeve të Superiores, veç atyre të Vllaznisë dhe Kamzës.
I vetmi që nuk ka pranuar të flasë është Gentian Selmani, kapiteni i Laçit.
Kurbinasit ndodhen në heshtje për shtyp dhe “gardiani” i Kombëtares ka preferuar mos të japë një mendim.
Duke nisur me kapitenin e Skënderbeut, Orges Shehin dhe duke përfunduar me atë të Lushnjës,
Fatjon Sefën, mund të mësoni opinionet e 7 lojtarëve të njohur të kampionatit tonë.
DEKLARATAT E KAPITENËVE
Orges Shehi (Skënderbeu) – “Përparësi ka Kamza duke u bazuar te 5 pikët para, megjithatë lufta nuk ka mbaruar.
Janë edhe dy ndeshje dhe gjithçka mund të ndodhë. Megjithatë favorite është ekipi kamzali”.
Ylli Shameti (Kukësi): “Më keni bërë një pyetje të vështirë. Nuk mund ta ndaj se kush do rrëzohet nga Superliga.
Te Kamza kam shumë shok Sebino Plakun, po ashtu Gilman Liken e kam mik të ngushtë.
Nuk do ia uroja asnjërës të rrëzohej. Ndeshjet e rradhës do përcaktojnë çdo gjë për këto ekipe. Do më vinte keq njësoj për secilën në rast rënieje“.
Tomislav Bushic (Flamurtari) – ” Më vjen shumë keq për Vllazninë, se kam luajtur atje, por këtë vit e meriton Kamza të qëndrojë, është
një ekip që e ka treguar në fushë që vlen, ka bërë lojëra shumë të mira. E meritojnë qëndrimin në Superiore.”
Oriad Beqiri (Luftëtari)- “Mendoj se në bazë të pikëve që skuadrat kanë në këtë moment, Kamza ka më shumë mundësi të shpëtojë.
Unë s’kam ndonjë dëshirë dhe nuk mund të shprehem. Duhet t’i respektoj të dyja skuadrat për atë që kanë dhënë në kampionatin shqiptar.
Kush më pak e kush më shumë, thjesht unë si lojtar duhet t’i falënderoj që e kanë bërë kampionatin të luftuar dhe të bukur. Futbolli në këto momente ka nevojë për të tilla emocione”.
Idriz Batha (Partizani) – “Unë mendoj se përqindjen më të madhe për të zbritur nga Kategoria e ka skuadra e Vllaznisë”.
Arbër Çyrbja (Teuta) – “Do të ishtë mirë qëndrimi i dy skuadrave, megjithëse kjo s’mund të ndodhë.
Edhe pse Teuta, nuk e ka siguruar 100 përqind qëndrimin në Superiore, më vjen keq për secilin ekip që mund të bjerë”.
Fatjon Sefa (Lushnja) – “Unë mendoj se e meritonim ne të qëndronim më Superiore. Por, duke parë që jemi ekip pa zot, ndodhi kjo që ndodhi.
Për sa i përket Kamzës dhe Vllanizsë, mendoj se Vllaznia ka gabuar më shumë në këtë sezon. Duke parë edhe ndeshjet direkte që ka patur, nuk ka marrë maksimumin, kundrejt Teutës apo dhe Kamzës. Gjithsesi pritet të shihet në vijim, kanë mbetur dhe dy ndeshje”.
Gentian Selmani (Laçi) – Heshtje për shtyp. /newsport/

- Advertisement -

TE FUNDIT