10.5 C
Tirana

Guljelm Radoja mbylli sytë përgjithmonë, kush ishte “shkodrani që i bani të tana” në kinematografinë shqiptare

VENDI

Nga Liarda Kondakçiu

Ditën e sotme ndërroi jetë nga Covid-19 aktori i mirënjohur i skenës shqiptare, Guljelm Radoja.

Ai ndodhej i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet që prej dy ditësh, por nuk ka arritur të fitojë dot betejën me virusin. Fillimisht aktori ishte i shtruar në reanimacionin e Spitalit të Durrësit, ku u tha se gjendja shëndetësore e aktorit u përmirësua. Megjithatë duket se Radoja nuk ka arritur t’ja dalë.

Por kush ishte “shkodrani që i bani të tana” në kinematografinë shqiptare?

Guljelm Radoja e ka nisur karrierën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Sa i përket skenës së teatrit, Radoja spikati për rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bwllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Ndërsa në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970.

Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Karakteristikë është se shumica janë role kryesore, të vlerësuara edhe me çmime e medaljone. Sakaq, meritat e tij artistike kanë bërë që aktori të nderohet nga Presidenti i Republikës me titullin “Artist i Merituar”.

Në një ndër intervistat e pakta ku ka folur për jetën e tij për gazetaren Juela Meçani, Radoja ka treguar se ka kaluar shumë peripeci për shkak të “biografisë” së familjes së bashkëshortes.

“Kur e futën vjehrrin tim për herë të dytë në burg, time shoqe e spostuan nga violinë e parë, në karrigen e dytë. Kishte ardhur një ekip, me Sofokli Lazrin në krye dhe panë koncertin. Siç ishte adeti asokohe, u ngritën të gjithë në këmbë duke bërtitur “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë” dhe unë prezantoja programin. U spostova sepse udhëheqja do dilte, këta në krye dhe 26 veta nga pas. Njëri nga pjesëtarët nga udhëheqja ndalon tek unë e më thotë: “A je Guljelm Radoja. Si e ke nanën?”. “Mirë”,-ju përgjigja. “Po grun, po fëmijët?”-vazhdoi ai. “Mirë”,- përgjigjem përsëri. Më drejtohet në shkodranishte: “A ta ka kastigu kush grun?”-Më pyeti, domethënë a ta ka ngacmuar njeri gruan. “Jo”-i thashë. “Në ta kastigon kush, dije se ke një mik që quhet Muho Asllani. Tungjatjeta!”- dhe iku. Në atë kohë, Muho Asllani ishte sekretar i parë i Durrësit dhe anëtar i Byrosë Politike”.

Ai ka treguar edhe momentin kur e hoqën nga Teatri Kombëtar në 1969: “Kur më hoqën nga Teatri Kombëtar në 1969 ishte një ambient miqsh, ishte kënaqësi të rrije me Sandër Prosin, Prokop Mimën, Pandi Stillun, me njerëz të mëdhenj. Ndërsa në 1996 gjeta një xhungël. Kishte një urrejtje deri në vdekje për njëri-tjetrin. Imagjinoni, ishte dikush që kishte gëzim patologjik kur aktori Ndriçim Xhepa kaloi një sëmundje të rëndë e mund të humbte jetën. Deri këtu arrihej. Ky ambient nuk ishte më për mua”.

Guljelm Radoja ka qenë edhe shumë aktiv në kauzat e ndryshme, të cilat kanë ndjekur vendin tonë. Më e fundit ka qenë prishja e Teatrit Kombëtar.

Ai ka dhënë një mesazh të fortë kundër shembjes së kësaj godine. I rreshtuar krah qytetarëve, ai ju drejtua edhe kolegëve të tij që dikur e kundërshtuan shembjen por më pas u deklaruan pro saj.

Radoja iu kërkoi artistëve e qytetarëve që kauza e Teatrit të mos politizohet dhe iu bëri thirrje kolegëve që të ruajnë dinjitetin e tyre, duke iu referuar madje dhe aktorit të madh Robert Ndrenika, ndonëse nuk e përmendi me emër.

Mesazhi i plotë

Meqë përfaqësoj Durrësin po them ca gjëra. Para ca kohësh dola këtu dhe thashë 3 fjalë. Ky vend nuk është i joni, ky vend është juaji. E dyta thashë me plot bindje se nuk do të fitojnë ata, do të fitojë qytetaria. Do të fitojë ai spektator, ai qytetar që e do artin. Ajo e djeshmja qe turpi më i madh. Ishte turpi i atyre që e bënë. Vetë fakti që u zbythën, tregoi se e kanë mbushur zullumin.

Çdo parti ka politikat e veta dhe do të fitojë kredibilitete me diçka. Unë i përkas kësaj të djathte, jam një nga nismëtarët e krijimit të PD-së në Durrës, por duke e parë veten në pasqyrë e pashë që unë nuk jam për politikë, vota ime shkon atje ku shkon por nuk më pëlqen që ne të bëhemi një tip kukulle që futemi në sqetullën e cilësdo aleancë, e cilësdo parti. Jo! Teatri është i depolitizuar, është i qytetarëve jo partive. Ata që kanë firmosur paktin, s’e kam lexuar se çfarë kanë bërë, por ai i gjati dhe ca të gjatë e të shkurtër të tjerë bënë atë që ne na përçanë.

90% dolën të majtë dhe ca kokrra dolën të djathtë. Ia arritën kësaj dite. Ia arriti sepse unë do t’i referohem Shekspirit. Fatkeqësisht ne jemi karaktere të butë, karaktere që manipulohemi. Dhe kjo gjë vërtetoi katërcipërisht që ne jemi të manipulueshëm. Dikush nga kolegët e mi, i tha dikujt: ‘Unë shkela mbi dinjitetin tim’. Po pse shkele mo mik? A ka gjë më të madhe se dinjiteti?

Secili prej nesh këtu kur lan faqet në mëngjes sheh veten dhe thotë një fjalë: Sa dinjitoz qesh dje, pse të isha qesharak dje. Unë që flas jam pensionist, kam 10 vjet në pension, i marr këtij shteti aq sa më jep. Pse u shite miku im? Pse u shite kolegu im? Çfarë pakti bërë me djallin ti që shkele mbi dinjitetin? Mirë njerëzor, po artistik? Ku është? Unë jam në Durrës, banoj në Durrës, vij rrallë por jam me ju. Iu them gjithë kolegëve të mi që kanë mbetur, mos ta politizojmë kauzën tonë. Le të na mbështesin partitë politike. Ne jemi ne, teatri është teatër.

Guljelm Radoja me miqtë
Sakaq, artisti i merituar ka marrë shumë vlerësime nga personazhe të njohur shqiptarë. Këtu mund të përmendim profesorin e njohur Pëparim Kabo, i cili e ka konsideruar si një aktor me një profil të veçantë, pasi ka ditur të ndërtojë karaktere mjaf të spikatur.

“Guljemi është aktor me një profil tejet të veçantë, sepse ka ditur të ndërtoi karaktere mjaft të të spikatur, psh te filmi i Anagnostit me titull: “Kthimi i ushtrisë së vdekur” ku luan priftin është një realizim tejet i arrirë, ku dhe luan bashkë me Bujar Lakon i cili luan rolin e gjeneralit. Ka një heshtje të bukur mes batutave Guljemi por edhe mënyrën per artikulimit e ndërmjetëson shumë bukur me përjetimin gati hamendësor.

Te filmi Gjeneral Gramafoni i Viktor Gjikës, rolin e zotit Alberto me atë shikimin Gjarpëror dhe me lojën cinike e ka të mrekullueshme sërish karakter shumë i bukur, etj… Gulejmi është njeri modest, por është artistë në shpirt dhe i ka dhënë shumë artit shqiptar. Dje në 75 vjetorin e lindjes nuk pati as urime zyrtare dhe as dekorime zyrtare.

Unë bashkë me ju miq e uroj… Jetë të gjatë i dashur artistë, je një profil i spikatur i artit të imazhit dhe atij skenik…Ne si spektatorë të duam, të duam sinqerisht të duam me shpirt sepse ai shpirti ynë është blatuar edhe nga arti yt”, ka shkruar ndër të tjera Kabo.

Në aspektin familjar, Radoja ishte baba i dy fëmijëve dhe nuk nguronte të fliste për ta sa herë i jepej mundësia publikisht.

“Kemi dy fëmijë të mrekullueshëm, një djalë e një vajzë, të dy artistë. Ata sot jetojnë në Francë. Pika ime e dobët? Mbesa ime Fiona. Sot ajo është pianiste dhe pedagoge në Francë. Është debolesa dhe krenaria e gjyshit”.

Ndonëse sot mbylli sytë përgjithmonë, Guljelm Radoja do të kujtohet gjithmonë përmes syve të tij, të cilët janë përdorur si detaj skenik në shumë filma. Madje te “Gjeneral Gramafoni” është edhe një batutë “ka një vështrim prej gjarpri”.

Sa herë të kthehet ekrani i televizionit nga filmat shqiptarë, të gjithë do të marrin frymë dhe nëpërmend do të na vijë portreti i bardhoshit të thinjur, që sot po na qesh nga qielli./abcnews.al

- Advertisement -

TE FUNDIT