19.5 C
Tirana

FRYMËZIM – Bajrami festë për myslimanët por edhe gëzim për Kolët, Zefët, Prelët e Gjovalinët katolikë…

VENDI

Për të mos u humbur nga Klodi Smajlaj ❤❤❤

Në shtëpinë tonë, dita e parë e Bajramit njihej përherë si ‘dita e Kolës’.
Kola ishte miku i ngushtë katolik i tim eti. Ata kishin një marrëdhënie të veçantë, e cila me kalimin e viteve u forcua dhe u kthye në një lidhje familjare.

Me të mbaruar ritualet e faljes, në të parën ditë të Bajramit, ne nisnim përgatitjet për të mirëpritur mysafirin tonë të veçantë me emrin Kolë.

Kola vinte përherë me zonjën e tij, një grua fisnike, e urtë, e cila fliste pak, por çdo fjalë që lëshonte nga goja, i kishte peshë.
Atë ditë, ne përdornim enët më të bukura dhe gatuanim disa tenxhere me ushqime të ndryshme.

Im atë sigurohej që mishi, – ky produkt që atëherë shihej si mbret i tavolinës, – të ishte me bollëk, mundësisht i gatuar në të gjitha mënyrat.

Kola me zonjën e tij qëndronin gjatë atë ditë në shtëpinë tonë. Mysafirë të tjerë, familjarë e miq vinin e shkonin, por Kola mbeste po aty, në krye te tavolinës, thuajse derisa errej.

Së bashku me tim atë, ata herë bënin humor, herë përhumbeshin në kujtime e herë bënin biseda serioze për hallet e jetës.

Si fëmijë, unë merrja vesh pak nga ajo që thuhej, por atmosferën e gëzueshme dhe energjinë e mirë që krijohej te ne atë ditë, e kam të ngulitur në mendje e në zemër. Ishte ndër të paktat raste kur shihja edhe time më që përfshihej në biseda, pasi muhabeti me zonjën e Kolës i shkonte shumë.

Kur vinin Pashkët, im atë dhe ime më bënin të njëjtën gjë. Atë ditë, në shtëpinë e Kolës hynin e dilnin me dhjetëra vetë, por prindërit e mi ishin mysafirët e veçantë, ata që viheshin përherë në krye të tavolinës.

Kola kujdesej që tim eti, me fe myslimane e shumë besimtar, t’i jepte respekt deri në detajet më të vogla.

Atë ditë, në shtëpinë e tij s’kishte as alkool, e as mish derri vërdallë. Çdo gjë ishte e përgatitur sipas besimit të mysafirit të dashur.

Te shtëpia e Kolës përsëritej historia. Ata zhyteshin në biseda për orë të tëra dhe e humbisnin sensin e kohës. Ishte një lidhje tepër e veçantë shpirtrash mes tyre, e cila e jepte efektin e saj të mirë edhe tek ne përreth.

Më mungojnë shumë ato ditë e ato ndjesi.
Më vjen keq që nuk e kthej dot kohën mbrapsht për t’i jetuar sërish, por kësaj radhe si e rritur, me një tjetër forcë e me një tjetër dritë.

Kush është bekuar me miqësi të tilla, i është dhënë një mirësi e madhe. Festa do njerëz për t’u kaluar. Do shpirtra që i japin kuptim e diell jetës tënde, pavarësisht se ç’besim ka zgjedhur për të ndjekur secili prej tyre.

Me shpirtra të tillë, festa jote është festë e tyre dhe e anasjellta.

Bajrami sot është një festë që neve si myslimanë na vjen natyrshëm, por është gëzim edhe për të gjithë Kolët, Zefët, Prelët e Gjovalinët katolikë, që kanë lidhje të ngushta familjare e miqësore me Muharremët, Zeqirët, Nuhët e Fadilët myslimanë.

Se vërtet kena Bajram e Pashkë,
por dashninë e ndajmë tan’ bashkë!❤
Gëzuar!

- Advertisement -

TE FUNDIT