9.5 C
Tirana

Fiks Fare/ Punëtorët e ndërtimit pa masa sigurie, bëjnë ‘cirk’ në majë të skelave

VENDI

Siguria në punë dhe respektimi i kushteve teknike nga kompanitë e ndërtimit, por dhe nga punonjësit në vendin tonë nuk është bërë ende një kulturë pune.

 

Aksidentet përgjatë orarit të punës me pasojë ndërrim jete dhe jo vetëm, janë kthyer në fenomenin më shqetësues, ndërkohë që shumë qytetarë përpiqen të sigurojnë mënyrën e jetesës përmes këtij profesioni, por neglizhojnë masat e sigurisë për jetën. Kamerat e “Fiks Fare” përgjatë një vëzhgimi disa ditor në ndërtesat e reja në qytetin e Tiranës, kanë hasur shumë punonjës që nuk respektojnë të gjitha rregullat e sigurimit teknik të shënuara në Vendim të Këshillit të Ministrave numër 312 datë 5 Maj 2010, pika 14.1 ku thuhet se “Kur lartësia ose përkulja kalon vlerat e përcaktuara në rregullore, duhet të parashikohen pajisje për të evituar rënien e punëmarrësve”.

 

Nga vëzhgimi i Fiks Fare anjë nga këta punonjës nuk është i pajisur më të gjithë veshjen e sigursë në tërësi. Disa prej tyre suvatojnë dhe lëvizin nga njëra anë në tjetrën mbi skela në një lartësi të konsiderueshme e të pa lidhur me nje rrip sigurie. E një tjetër punonjës nga kati i fundit i një pallati në ndërtim, veçse i pasiguruar në atë çfarë po bën njëkohësisht përdor dhe telefonin e gjithashtu konsumon cigare edhe pse në një lartesi të konsiderueshme.

 

Edison Hoxha drejtues i qendrës për të drejtën e punonjësit në lidhje me sigurimin teknik tek punonjësit tha se sektori i ndërtimit është ai me problematiku. Ka shumë punëmarrës që nuk i respektojnë vetë këto kushte, por ka dhe nga ata punëmarrës që nuk kanë pajisjet e duhura. “Institucionet duhet të bëjnë një punë pak më kërkuese. Punonjësi duhet të ketë patjetër veshjen si një ndër kushtet për të siguruar jetën. Është punëdhënësi ai që duhet të jetë më kërkues, por edhe institucionet përkatëse duhet të inspektojnë pak më shumë” shprehet z. Hoxha. Gazetarët e “Fiks Fare” jashtë kameras takuan 2 prej inxhinierëve të dy ndërtesave të reja në ndërtim.

 

Njëri prej tyre teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me veshjen e sigurisë teknike tha se veshja kishte të bënte me jelekun për të treguar që është punonjës, me kaskën e sigurisë për të mbrojtur kokën, dorezat dhe këpucët e punës. E ndërsa u pyet në lidhje me rripin e sigurimit ai tha se nuk kishte shpjegim për këtë. Ndërsa inxhinjeri i njërës prej godinave tha se inspektimet nga institucionet përkatëse janë shumë të varfëra. Vendosin gjoba për kapelen e sigurisë dhe nuk marrin masa për rripin e sigurimit.

 

Por duke qenë se siguria në punë dhe jo vetëm janë nën mbikqyrjen e Inspektoratit të Punës vetë zëvëndës kryeinspektoria e këtij institucioni, znj. Irida Qosja tha se ky institucion ka detyrim kontrollin e zbatimit të ligjit. Ndërtimi klasifikohet si një ndër profesionet më të vështira. Aksidentet në ndërtim në të shumtën e rasteve janë fatale. “Në sektorin e ndërtimit 3 mujorin e fundit për vitin 2022 kemi gjithsej 6 aksidente të regjistruara dhe të konfirmuar 1 aksident me humbje jete dhe një çështje tjetër që ende nuk kanë mbaruar hetimet” shtoi ajo.

 

Në Inspektoratin e Punës janë gjithsej 98 inspektorë të cilët janë të atashuar në 6 drejtori rajonale. Për secilin rajon janë 13 sektorë inspektimi. “Sektori i ndërtimit ka një zhvillim të menjëhershëm. Sado i lartë të jetë numri i inspektorëve është e pamundur të qëndrosh pas çdo biznesi. Ne kemi një staf të caktuar inspektoresh dhe s’mund të jenë pas çdo kantieri ndërtimi ose pas çdo subjekti”përfundon kryeinspektorja.

- Advertisement -

TE FUNDIT