12.5 C
Tirana

Erdhi koha për sandale. Pesë hapa si të keni këmbë perfekte

VENDI

Me ardhjen e verës, ne mezi presim të heqim çorapet dhe këpucët. Temperaturat e ulëta të dimrit, presioni i kileve të fituara apo mbajtja për një kohë të gjatë në këpucë i ka ashpërsuar ato dhe ka çarë thembrat.

 

Për të gjitha vajzat që duan të kenë këmbë të bukura dhe sensuale gjatë verës këto janë pesë mënyra se si mund ta arrini këtë gjë.

 

1. Pastroni lëkurën e vdekur

Lëkura e thembrave tona është mjaft e varfër dhe e thatë gjë që ndikon shumë në grumbullimin e qelizave të vdekura. Duke mos veshur këpucë e çorape, lëkura ka tendencë të thahet më shumë. Një zgjidhje për këtë është ta fërkoni butësisht thembrën me gurin shtuf. Sigurohuni që lëkura të jetë e lagur më parë për të mos u lënduar. Gurin mund ta gjeni lehtësisht në supermarkete. Ai është një gur llave, por shumë i lehtë dhe i përsosur për zbutjen e lëkurës së ashpër e të thatë.

 

2. Zbuteni lëkurën tuaj

Pavarësisht se është pak vonë për ta hidratuar lëkurën pasi ajo është tharë dhe çarë, rekomandohet që shpesh të përdorni produkte për të zbutur lëkurën e ashpërsuar dhe indet e irrituara në epidermë. Perfekte për këtë janë produktet me bazë ureje (diamid i acidit karbonik). Këto produkte nxisin eksfolimin e lëkurës duke e bërë atë të shkëlqejë e të jetë e lëmuar. Nëse thembrat janë të nxira përdorni kremra ureje natyralë me veprim ushqyes dhe zbutës me aloe vera, kamomil dhe kalendula, vaj jojoba, vaj bajameje apo acai ose me gjalp shea.

 

3. Bëni maska

Maska me parafinë është zgjedhja më e mirë. Mirë do ishte ta bënit me parafinë të ngurtë që pasi e keni shkrirë e aplikoni të ngrohtë te këmbët me një furçë. Kjo maskë rekomandohet një herë në javë. Kjo maskë duhet të shoqërohet dhe me “ilaçin” e gjysheve tona. Lyeni këmbët me krem para se të bini për të fjetur, dhe vishni çorape për të mos e fshirë tek çarçafët.

 

4. Përdorni sodë buke

Soda e bukës përdoret shumë për zbutjen e lëkurës. Ky “ilaç” natyral është perfekt dhe për zbutjen e thembrave. Për këtë hidhni në ujë të ngrohtë tre lugë gjelle sodë buke dhe fusni këmbët brenda. Ju mund të bëni dhe një skrab eksfoliues duke përzier në tas disa lugë gjelle sodë dhe pak ujë të ngrohtë sa të bëhet një masë e trashë me kokrriza. Fërkojini në mënyrë rrethore thembrat me të dhe mirë do të ishte të përdornit dhe gurin e shtufit pas kësaj.

 

5. Zbardhni thembrat

Ecja zbathur apo ekspozimi për në kohë të gjatë në pluhur i bën shpesh thembrat të errëta. Për zbardhjen e thembrave, në ujë të ngrohtë hidhni lëngun e gjysmë kokrre limoni dhe mbajini këmbët brenda ujit për 10 minuta. Pas kësaj fërkojini me kujdes këmbët me gurin e shtufit. Rezultati do të jetë befasues.

- Advertisement -

TE FUNDIT