13.5 C
Tirana

Eduart Grishaj: Ju zbuloj ambicien e “Gjyshes” dhe projektet e radhës në botën e Filmit

VENDI

Shfaqet sonte premiera e “Gjyshes”, regjisori dhe skenaristi i njohur rrëfen për gazetën “Koha Jonë” frymëzimin që e nxiti të realizonte filmin me metrazh të shkurtër

Intervistoi: ALBINA GJERGJI
“Gjyshja” është padyshim personazhi dhe filmi më i komentuar i javëve të fundit në kryeqytet. Kjo për faktin se, që në prezantimin e trailer-it, historia e saj ka ngjallur një kuriozitet shumë të madh në publik. Një histori reale, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Malësinë e Madhe të viteve ’80-të. “Eshtë historia e një nëne, vajza e së cilës mbetet shtatzënë në moshë të re nga një lidhje “e gabuar”, ku nëna përpiqet ta kryejë vetë abortin dhe kur nuk mundet kërkon ndihmën e infermieres së fshatit”, tregon për gazetën “Koha Jonë”, regjisori dhe skenaristi i talentuar i këtij filmi, Eduart Grishaj. Më tej ai na zbulon edhe pritshmëritë e ambiciet që ka për këtë film, ku prioritet mbetet dëshira që publiku shqiptar të perceptojë mesazhin e duhur nga kjo dramë jetësore. Premiera e filmit artistik “Gjyshja” do te jepet sonte në Kinema Millenium, por së shpejti do të shfaqet edhe për publikun shqiptar në ekranin e madh të kinemave dhe televizioneve.

Sapo keni përfunduar xhirimet e filmit “Gjyshja”, një dramë shqiptare që vjen nën firmën tuaj në regji dhe skenar. Çfarë pritshmërie keni nga ky prodhim Eduart?
Idenë për këtë film e kam patur në mendje prej kohësh, dëshira për të sjellë një histori autentike shqiptare, aq më tepër bazuar në ngjarje të vërteta më ka intriguar gjithmonë. Fillimish ishte thjesht dëshira për ta realizuar si film këtë histori që mua më ka frymëzuar shumë. Pastaj pas mbledhjes së kastit të aktorëve (që më duhet ta them janë të shkëlqyer) dhe me mbarëvajtjen e xhirimeve e post-produksionit më lindi dëshira për ta ndare filmin me miqtë, kolegët dhe dashamirës të kinematografisë, të cilët u bënë shumë kuriozë për filmin. Dhe vendosa ta shfaq si premierë në kinema. Shpresoj shumë të pritet mirë, besoj gjithë stafi ka bërë një punë të shkëlqyer. Pas premierës, do tentoj ta prezantoj në Festivalet e filmave në rajon e botë, ku shpresoj që filmi të tërheqë vemendjen.

Ky film artistik trajton një temë mjaft delikate që për kryefjalë ka “moralin” dhe “nderin” në Veri të Shqipërisë. Konkretisht, për çfarë bëhet fjalë?
Ngjarjet zhvillohen në Malësinë e Madhe rreth viteve ’80-të. është historia e një nëne, vajza e së cilës mbetet shtatzënë në moshë të re nga një lidhje “e gabuar”. Nëna përpiqet ta kryejë vetë abortin dhe kur nuk mundet kërkon ndihmën e infermieres së fshatit.

Si lindi idea për një subjekt të tillë?
Historia është e bazuar në ngjarje të verteta, të cilat unë i kam dëgjuar gjatë gjithë jetës sime, jo vetëm në zonën ku kam lindur, por edhe gjatë punës sime në “Dua të të bëj të lumtur”. Histori abortesh, nënash të trazuara fatkeqësisht kemi patur plot.

Pse me metrazh të shkurtër?
Sepse ky është filmi im i parë, i cili ka patur jo pak vështirësi për t’u realizuar. Eshtë një film që është projektuar si i shkurtër që nga fillimi. është një film, nga i cili kam marrë shumë kënaqësi, por edhe kam mësuar shumë për t’i hapur rrugë në vijimin e filmave me metrazh të gjatë.

Çun Lajqi, Rita Gjeka, Ema Andrea janë disa nga aktorët e mirënjohur që marrin pjesë në këtë film. Të rinj të tjerë të talentuar gjithashtu. Si erdhi ky bashkëpunim mes jush?
Kam qenë i privilegjuar që emra si Rita, Ema dhe Çuni kanë pranuar të interpretojnë në filmin tim dhe kanë qenë shumë bashkëpunues në çdo moment. Enxhi dhe Mateo kanë qenë gjithashtu të shkëlqyer dhe befasues me interpretimin e përkushtimin e tyre.

Meqë ngjarjet e filmit zhvillohen në veri të Shqipërisë, dialekti gegë a ishte një kriter i domosdoshëm në përzgjedhjen e kastit të aktorëve?

Jo, domosdoshmërisht. Karakteret e Ritës dhe Çunit i kam patur në mendje që kur kam shkruar skenarin. Ndërsa për personazhin e Emës, zgjedhja nuk mund të ishte më e mirë.

Përveç kënaqësisë që të jep sheshxhirimi i një filmi, na flisni pak edhe për vështirësitë që keni hasur?

Filmin e kam xhiruar në Malësinë e madhe dhe pavarësisht terrenit të vështirë, ata që ma kanë bërë punën më të lehtë kanë qenë banorët e asaj zone, që kanë qenë shumë mikpritës e bashkëpunues në çdo moment gjatë xhirimeve.

Sonte do të shfaqet premiera e tij në Kinema “Millenium”. I emocionuar?
Jam i lumtur që këtë projekt do e ndaj me miqtë e njerëzit e mi. Më vjen pak keq për publikun e gjerë që është bërë kurioz për filmin dhe vazhdimisht pyet se kur do të jepet, qoftë në Kinema, qoftë në rrjetet e mia sociale, por i njoftoj të gjithë se, filmi do të shfaqet në një moment të dytë edhe për ata.

Prej vitesh emri juaj lidhet me regji emisionesh të ndryshme, që përgjithësisht të “fshehin” në back-state. Mund të na numëroni disa prej tyre dhe cilin veçoni si eksperiencën me të vlefshme deri tani në televizion?

Kam patur fatin të punoj në disa programe televizive në Top Channel dhe jashtë tij, por përvoja më e bukur mbetet me “Dua të të bëj të lumtur”, pikërisht për shkak të emocioneve që shkaktojnë historitë njerëzore në këtë emision. Njerëzit e thjeshtë janë shumë frymëzues dhe është një nga programet më afër filmit, që është pasioni im më i madh.

Synimet, apo ambiciet e së ardhmes? Në raport me talentin që keni, ku e shihni veten pas pak, ose disa vitesh?
Ambicia ime e radhës është realizimi i një filmi me metrazh të gjatë, sërish i frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë.

Trailer-i i Filmit me metrazh të shkurtër, “Gjyshja”

Video Player

- Advertisement -

TE FUNDIT