12.5 C
Tirana

Edona Bilali: PS ka marrëdhënie të ndërlikuar me bashkinë e Shkodrës

VENDI

Shkodra nuk pati rezultatin e pritur për socialistët duke marrë vetëm 3 mandate, por kjo sipas kryesues së listës Edona Bilali nuk do të ndikojë të vizionin e qeverisë për kryeqendrën e veriut. Në një intervistë për Report TV deputetja e zgjedhur u shpreh se “për projektet ne do të trakasim në derën e Kryeministrit njësoj sikur rezultati i Shkodrës të ishte në të njëjtën linjë me atë të të gjithë vendit”.

Ndërsa e pyetur për bashkëpunimin me kryebashkiaken e djathtë, Voltana Ademi, ajo tha se “Partia Socialiste me Bashkinë e Shkodrës ka një marrëdhënie që do ta përkufizoja me fjalën “e komplikuar”, por si Edonë, çdo gjë që është në interes të shkodranëve do të jem e para për të bashkëpunuar”.

Intervista e plotë:

Pyetje: Ka përfunduar fushata elektorale. Tashmë shkodranët kanë dhënë verdiktin e tyre. Partia Socialiste është mandatuar për një mandat të tretë, por a jeni e kënaqur me rezultatin e kësaj force politike në përfundim të këtyre zgjedhjeve?

Bilali: Jam shumë e kënaqur që PS mori mandatin e tretë. E mori me votëbesimin e qytetarëve dhe kjo tregon se mazhoranca ndan të njëjtin vision. Por nuk mundem të them se ndaj të njëjtën kënaqësi për performancën në Shkodër. Ne nuk fituam në Shkodër dhe ky rezultat nuk shkon në të njëjtën linjë për sa i takon entuziazmit që PS pati në rang Shqipërie.

A jeni e kënaqur me rezultatin tuaj. Me votat personale që keni marrë?

Bilali: Deri në mbyllje të fushatës fokusi ka qenë tek numri 12. Janë 2 711 votëbesime për mua dhe janë 2711 borxhe, janë 2711motivime çdo mëngjes për të bërë më të mirën për qytetarët që më kanë dhënë besimin.

Megjithatë, pavarësisht rezultatit gjatë fushatës dhe takimeve që keni bërë me qytetarët, vëmendja ka qenë tek projektet që do të bëhen në këtë qytetet mandatin e tretë qeverisës. Do të jetë Edona ai zëri i mbështetjes së Shkodrës pranë kabinetit të qeverisë Rama?

Bilali: Ne vijojmë të kemi të njëjtin vizion për Shkodrën dhe rrjedhimisht projektet do të shkojnë me propozimin e grupeve të interesit. Atë trokitjen në derë për me bërë gjëra për Shkodrën, patjetër që do vazhdojmë me të njëjtin ritëm sikurse rezultati i Shkodrës të ishte në të njëjtën linjë me atë të të gjithë vendit.

Edonë, kjo ka qenë fushata juaj e parë. Për të zbuluar për teleshikuesit, si ka qenë për ju kjo fushatë, pritshmëria, kontaktet me qytetarët, ajo trokitja derë më derë? Cila ka qenë e veçanta e kësaj fushate?

Bilali: Në momentin që mora vesh lajmin dhe u bëra pjesë e fushatës së Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës ndërtova bashkë me skuadrën një strategji. Strategjia primare kishte fushatën qytetare dhe gjithëpërfshirëse. Për mua ka qenë më e rëndësishme që të mbahej mend për qetësinë, qytetarinë dhe për finesën që u realizua fushata.

Do të jeni ju modeli që të tërhiqni të rinjtë e tjerë shkodran që të bëhen pjesë e kësaj force politike?

Bilali: I gjithë udhëtimi im i karrierës ka në thelb punën. Kryefjala ka qenë pikërisht kjo. Sot jam unë, nesër mund të jeni ju. Jo vetëm politika. Gjatë gjithë fushatës kam mbajtur shënime. Kanë mjaft ide dhe janë kreative. Ne kemi prirje për biznesin. Unë vij nga bota e biznesit, bota akademike dhe shoqëria civile.

Nga deputetët e Partisë Socialiste në Shkodër do të jeni e vetmja grua në parlamentin shqiptar dhe ndoshta do të jeni zëri i grave socialiste atje. Keni një lloj motivimi nga kjo pjese duke qenë se vetë Partia Socialiste e ka pasur prioritet që gratë të mos jenë thjesht një numër në listat e saj?

Bilali: Unë do të jem përfaqësuese jo vetëm e grave socialiste por edhe demokrate. Për të ndjekur të gjitha problematikat. Sigurisht do të bashkëpunoj për kauza të ndryshme edhe me gra të forcave të tjera sepse kur je shumë bëhen gjëra edhe më të mira.

Për sa i përket pjesës së bashkëpunimit, do të jeni ju një zë edhe i bashkëpunimit me bashkinë e Shkodrës e cila është e vetmja e djathtë e mbetur pas zgjedhjeve të 2019-ës. Do të jetë Edona ajo që do të kërkoje të bashkëpunojë me bashkinë për hir të qytetit?

Bilali: Partia Socialiste me Bashkinë e Shkodrës ka një marrëdhënie që do ta përkufizoja me fjalën “e komplikuar”. Si Edonë, që çdo gjë që është në interes të shkodranëve do të jem e para për të bashkëpunuar, por edhe me i vendos para përgjegjësisë. Kam folur shumë hapur për marrëdhënien time me Kryeministrin. Patjetër që do ti dërgojmë projektet, por do të jem pas dere për ti realizuar gjërat për Shkodrën. E njëjta gjë do të jetë edhe me bashkinë. Për çdo kauzë dhe të mirë që i vjen Shkodrës. Qytetarët duhet të kenë një optikë transparente.

Rezultati për ne është tregues, por edhe për qytetarët shkodran tashmë është koha që të ulemi që të gjithë bashkë në tavolinë. Tani mbaruan zgjedhjet dhe prapë dora është e shtrirë dhe dyert e Partisë Socialiste janë të hapura për me bashkëpunuar. Veçanërisht për të rinjtë që janë punëtorë, fjalëpak dhe që e bëjnë punën me dashuri. Jo vetëm me përkushtim.

M.Q./b.ha./Shqiptarja.com

- Advertisement -

TE FUNDIT