20.5 C
Tirana

Denoncimi: Bleva unazë 3600 euro te dyqani në TEG, por vlente vetëm 25 mijë lekë

VENDI

Policia e Tiranës ka marrë denoncim për vjedhje përmes mashtrimit nga dy qytetarë të kryeqytetit të cilët kallëzuar se kanë blerë te qendra tregtare TEG (Tirana East Gate) një unazë duke paguar 3600 euro, por sipas tyre u doli se ishte e falsifikuar.

Kallëzimi është bërë nga shtetasja N.Q., 35 vjeçe. Ajo ka deponuar se bashkëshorti kishte blerë një unazë dhuratë për të, në një dyqan bizhuterish në TEG duke paguar plot 3600 euro.

Duke folur me shoqet e saj, 35 vjeçarja është futur në dyshime për cilësinë e unazës me diamant dhe vlerën e saj.

Për këtë, ajo ka shkuar në një tjetër dyqan bizhuterish në qytetin e Tiranës ku ka mësuar se unaza nuk vlente më shumë se 25 mijë lekë të reja.

Sipas informacionit që ajo mori atje, unaza vetëm gurët e vegjël rrethues i kishte diamantë kurse guri i madh ishte topaz.

E shqetësuar, ajo ka shkuar në dyqanin në TEG dhe ka denoncuar këtë gjë, por, sikurse kallëzon, shitësja ia ka kthyer me fjalët se nuk mbajmë përgjegjësi për mallin që shesim.

Qytetarja thotë se është ndjerë e mashtruar dhe ka kërkuar disa ditë më parë, më 14 maj 2021, që problemin ta ndjekë ligjërisht duke kallëzuar në drejtorinë e policisë së Tiranës, raporton noa.

Policia ka nisur investigimin dhe ka marrë në pyetje më 20 maj, pronarin e dyqanit i cili njoftoi se ia kishte marrë mbrapsht unazën blerësve duke u kthyer pagesën.

Kallëzuesja, ka thënë pas këtij zhvillimi se kishte kundërshtuar vlerën që kishte paguar dhe e kishte kthyer unazën.

Pavarësisht se palët e kanë mbyllur në këtë mënyrë ngjarjen, policia e Tiranës ka vendosur që t’ia kalojë Prokurorisë së kryeqytetit për hetime të mëtejshme.

Fotoja: Marrë nga faqja e kompanisë TEG
Lajmi publikuar fillimisht tek noa.al

- Advertisement -

TE FUNDIT