6.5 C
Tirana

ÇFARË PO NDODH…? PAS ZGJEDHJEVE DY DORËHEQJE NË BASHKINË SHKODËR

VENDI

Bashkia Shkodër është zgjuar mëngjesin e sotëm me dy dorëheqje të papritura. Fillimisht është nënkryetari i bashkisë Shkodër Arben Gjuraj ai i cili i ka paraqitur dorëheqjen kryetares së bashkisë Voltana Ademi në mënyrë të parevokueshme. Arben Gjuraj sëfundmi ishte edhe kandidat për deputet i PD për qarkun Shkodër i renditur i 11-ti në listë.

Pas procesit të numërimit të votave edhe për kandidatët rezultoi se Gjuraj mori 1931 vota në total duke mos arritur që të thyej herësin dhe të jetë deputet sepse PD në qarkun Shkodër në total mori 5 mandate ndërkohë që asnjë prej kandidatëve të tjerë të PD nga numri 6 dhe deri tek 12 nuk arriti ta thyej herësin.

Arben Gjuraj prej më shumë se 6 vitesh ka mbajtur postin e nënkryetarit të bashkisë Shkodër pas një experience të gjatë që ka patur në pushtetin lokal edhe si ish-kryetar i ish-komunës Dajç përpara se të bëhej reforma territoriale. Pas 6 vitesh në detyrën e nënkryetarit dhe menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Gjuraj ka vendosur që të dorëhiqet.

Kjo dorëheqje sipas burimeve lidhet me pakënaqësitë e Gjuraj në këto zgjedhje si dhe mungesën e mbështetjes nga ana e bashkisë Shkodër por edhe ndërhyrjen në zonën e tij të Dajçit dhe zona të tjera që mbulonte sa i përket votave nominale për kandidatët e PD. Ndërkohë Gjuraj nuk është i vetmi që ka dhënë dorëheqjen sepse të njëjtën gjë ka bërë edhe Anton Hasanpapaj i cili ishte i emëruar si drejtor i policisë bashkiake.

Prej më shumë se katër vitesh Hasanpapaj drejtoi policinë bashkiake të Shkodrës teksa u emërua në këtë detyrë në tetor të 2016-ës nga kryebashkiakja Voltana Ademi. Hasanpapaj ishte një prej njerëzve kryesor në grupin e punës të kandidatit për deputet të PD në zgjedhjet e 25 prillit Arben Gjuraj dhe pas dorëheqjes së këtij të fundit, edhe Hasanpapaj e ka parë të arsyeshme të veprojë në të njëjtën mënyrë. Hasanpapaj në 2015-ën dha dorëheqjen nga posti shef seksioni për teknologjinë dhe përgjimin ambiental në drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës.

Me gradën komisar në atë kohë, Hasanpapaj u dorëhoq nga policia e shtetit pas një letre publike drejtuar ish-drejtorit të policisë Artan Didi duke pretenduar në atë kohë se ndaj tij është ushtruar presion psikologjik dhe është penalizuar nga ish punonjës të sigurimit të shtetit që dikur i kishin dënuar edhe babain në regjimin monist.

Tashmë pas arratisë që në mars të vitit të kaluar kur u largua drejt Italisë duke lënë Shkodrën, Hasanpapaj u rikthye pas 1 viti e gjysëm në qytetin e tij dhe pas katër vitesh në atë post detyrohet që të japë sërish dorëheqjen dhe arsyet besohen se janë të njëjtat me ato të kandidatit për deputet Arben Gjuraj.

- Advertisement -

TE FUNDIT