7.5 C
Tirana

Bujar Nishani tregon sekretin: Ja si rrëzohet Edi Rama

VENDI

Ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani tha sot se kryeministri Edi Rama rrëzohet nga pushteti vetëm atëherë kur të reformohet Partia Demokratike.

Nishani ishte i pari që i kërkoi kryedemokratit Lulzim Basha që të marrë përgjegjësi për humbjen e 25 prillit, ndërsa tani kërkon një reformim të PD-së.

“Edi Rama rrëzohet nga pushteti vetëm nëse PD-ja reformohet dhe bëhet e besueshme për 1 milion shqiptarë. Unë kam kërkuar marrjen e përgjegjësisë politike për rezultatin në zgjedhje, që nuk i dha qytetarëve atë që prisnin nga Partia Demokratike.

Edi Rama do të vazhdojë të qeverisë edhe më keq seç ka qeverisur në 8 vitet e fundit, përmes korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin. Dhe PD-ja nuk arriti që ta mposhtë modelin e Edi Ramës. Zgjedhjet janë të grabitura, por kjo nuk është hera e parë që ndodh.

Nuk ka dilemë që Edi Rama, që është përgjegjësi kryesor për garantimin e standardeve normale të zgjedhjeve, nuk do të ofrojë ndonjëherë zgjedhje normale. Mekanizmi për ta rrëzuar Ramën është politik dhe mund ta bëjë vetëm PD-ja. Por kjo parti nuk e bën dot këtë gjë kështu siç është.

Modeli i Ramës rrëzohet vetëm nëse PD-ja reformohet dhe bëhet e besueshme për 1 milion shqiptarë. Rama mundet vetëm nga mobilizimi i shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Vota shitet nga një pjesë që nuk ka besim te fuqia e votës dhe te ndryshimi.

Por, ka një shumicë shqiptarësh të heshtur që as nuk e shesin dhe as nuk e blejnë votën, por presin të binden nga një projekt politik. Në momentin që PD-ja nuk e bind këtë shumicë, nuk shkojnë të votojnë.”,- tha Nishani.

- Advertisement -

TE FUNDIT