16.5 C
Tirana

Berisha rigjeti “vëllanë”, LSI rigjeti kryetarin dhe Monika rigjeti burrin

VENDI

Nga Endri Kajsiu/

 

Shumë është folur këtë të hënë, në lidhje me aktin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili vendosi t’i hedhë një shishe benzinë zjarrit të krizës politike të opozitës, që bashkëshortja e tij dhe Lulzim Basha, po përpiqen ta bëjnë krizë të Shqipërisë.
Ditën kur u zgjodh president i Shqipërisë, fytyrëngrysur siç ishte, Ilir Meta me sa duket ka bërë dy betime. Njërin e mbajti, tjetrin jo.

 

Betimin e parë e bëri para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe përmes tyre, para popullit. Eshtë betimi i të gjithë atyre që marrin këtë detyrë të lartë, që zotohen se do të mbrojnë Kushtetutën dhe unitetin e popullit. Këtë betim të parë, Ilir Meta nuk e mbajti. Sot shkeli Kushtetutën. Në vend të unitetit, zgjodhi t’i bashkohej partnerëve të tij shpirtërorë, që fillojnë tek bashkëshortja dhe mbarojnë tek Sali Berisha.

 

Premtimi i dytë, me sa duket ka qenë që nuk do të linte gur pa lëvizur, për t’iu kundërvënë qeverisë legjitime të dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Eshtë një betim që ia ka bërë me sa duket vetes, të shoqes, kryetarit që ka vulën e PD-së dhe kryetarit që mban frerët e PD-së. Nuk ka zhgënjyer asnjërin prej tyre, me çdo akt që ka bërë në atë zyrë.
Me shkeljen flagrante që i bëri sot Kushtetutës, Ilir Meta i ka rikthyer Sali Berishës, “vëllait” të tij në opozitë, borxhin e darkës së famshme në shtëpinë e tij në bllok, një natë para se Gjykata të merrte vendimin ndaj të pandehurit Ilir Meta, të cilin deputeti i partisë së tij, atë kohë Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës,

 

 

i ndjeri Dritan Prifti, e kishte filmuar me zë dhe me figurë, me laps dhe me bllok të zi në dorë, duke kërkuar një favor që do të derdhte në duart e Ilir Metës 700 mijë Euro. Darka e famshme e bëri punën e saj. Ilir Meta u shpall i pafajshëm dhe sot, i ktheu borxhin Sali Berishës, i cili në këtë mënyrë ka rigjetur vëllanë.

 

Zhdekretimi që shpiku sot presidenti i Shqipërisë, edhe pse nul, ka shërbyer edhe për diçka tjetër. I ka rikthyer më në fund Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetarin. Që kur Ilir Meta, fytyrëngrysur, mori detyrën e Presidentit të Republikës, partia klienteliste që ai kishte themeluar, kaloi një fazë tranzitore në duart e Petrit Vasilit, i cili pa kaluar as dy muaj, ia dorëzoi bashkëshortes së Ilir Metës. Në dy muajt kur e drejtoi Petrit Vasili, LSI u gjend madje edhe nën breshërinë e sulmeve të Lulzim Bashës, të cilit marrja e drejtimit të një pjese të institucioneve i kish dhënë zemër, dhe i kish krijuar mirazhin e pushtetit.

 

“Ilir Meta është streha e fundit e maskarenjve”, thërriste atëherë Kryetari i PD-së, ndërkohë që godiste pa mëshirë partinë që, në letër ishte e Petrit Vasilit, por në fushatë vazhdonte të udhëhiqej nga Ilir Meta, ndonëse i zgjedhur tashmë president. Dy vjet më vonë, forca politike e çiftit presidencial ka rigjetur kryetarin, një fakt i konfirmuar edhe nga gëzimi që pushtoi militantët në dyert e selisë, të cilët pa mbaruar mirë deklaratën presidenti ditën e premte, rendën të puthin dhe përqafojnë të shoqen, Monikën.

 

As Kryetarja e LSI-së nuk e mbante dot gëzimin. Dy gëzime në një ditë. Po shkonte t’i bashkohej Lulzim Bashës në protestë, me një dhuratë të çmuar dhe mbi të gjitha, kishte rigjetur burrin, të cilin siç tha dhe vetë, kishte më shumë se dy javë që i kishte humbur. Çizmet e Monikës në Kuvendin e Shqipërisë, hunjtë dhe levat e militantëve lësëistë në protestat e opozitës, tashmë ia kanë lënë vendin “Zhdekreteve” të shpikur nga mendja e burrit të Monikës në presidencë.

 

Shqiptarët nuk kanë dyshuar për as edhe një moment, për kulisat që kanë kurdisur vazhdimisht – sidomos që nga momenti i votimit të reformës në drejtësi në vitin 2016 – dyshja Meta-Berisha, dhe dy veglat e tyre, Kryemadhi-Basha. Por sot, me shkeljen flagrante që i bëri Kushtetutës, me zgjedhjen për t’u bërë palë me opozitën – të cilës në një shenjë të theksuar të mungesës së fantazisë, i mori dhe argumentat për arsyetimin e “Zhdekretit” – Ilir Meta ka dalë më në fund hapur. Duke treguar se është dhe do të jetë i gatshëm për të bërë gjithçka, për t’i ardhur në ndihmë “të vëllait” në hallin e përbashkët që kanë, si dhe partisë që krijoi dhe që është katandisur si kokoshi një thelë.

 

Për fatin e tij të keq, tek është kujdesur në daljen e tij në 8 të mëngjesit që të lexojë gjerë e gjatë Kushtetutën, Presidenti i Republikës ka harruar të lexojë Nenin Nr.1 të saj. Ai nen thotë se “Shqipëria është Republikë Parlamentare”. Ilir Meta pra, është president në një Republikë Parlamentare. Dhe “molotovi” që hodhi sot, me siguri që do të ndjekë rrugën që ndjekin bumerangët.

- Advertisement -

TE FUNDIT