22.5 C
Tirana

Basha kujton 2 korrikun: Fatkeqësisht 29 vjet më vonë ikjet nuk janë ndalur

VENDI

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka kujtuar 2 korrikun në Facebook, ditën kur shqiptarët u futën në ambasadat e huaja për t’u larguar nga vendi për një jetë më të mirë.

Në përkujtim të kësaj date historike për shqiptarët Basha shkruan se 29 vjet më parë bota pa se shqiptarët po i thyenin hekurat e izolimit të diktaturës më të egër në Evropë.
Gjithashtu ai shtoi se “fatkeqësisht, 29 vjet më vonë, ikjet e pafundme të shqiptarëve drejt Perëndimit, me rregulla e pa rregulla, me dokumente e pa dokumente nuk i përkasin historisë, por janë kronikë e ditës, janë lajmet më të shpeshta që dëgjojmë, veçanërisht nga të rinjtë”.

Postimi i plotë:
29 vjet më parë bota pa se shqiptarët po i thyenin hekurat e izolimit të diktaturës më të egër në Evropë. Me mijëra prej tyre u futën nëpër ambasada, me shpresën e një jete më të mirë, më të denjë për vete dhe fëmijët e tyre, por edhe duke dhënë mesazhin se diktatura komuniste i kishte ditët e numëruara. Bota pa atëhere se si diktatori komunist kishte planifikuar t’i sulmonte ushtarakisht ambasadat e huaja dhe të nxirrte prej andej ata që kishin dalë kundër regjimit të tij, por të gjithë e dimë se si përfundoi. Diktatori u thye dhe refugjatët e ambasadave ishin të parët e një valë të pafund shqiptarësh që lanë vatrat e tyre të varfra për të kërkuar realizimin e ëndrrave të tyre për liri e demokraci në Perëndim.

Fatkeqësisht, 29 vjet më vonë, ikjet e pafundme të shqiptarëve drejt Perëndimit, me rregulla e pa rregulla, me dokumente e pa dokumente nuk i përkasin historisë, por janë kronikë e ditës, janë lajmet më të shpeshta që dëgjojmë, veçanërisht nga të rinjtë. E njësoj si atëherë, edhe sot dëgjojmë kërcënime se do rindërtojmë klonin dhe do t’u ndalojmë shqiptarëve pasaportat.

Në 6 vitet e fundit, më shumë se gjysmë milioni shqiptarë kanë lënë vatrat e tyre për të marrë rrugën e kurbetit. Ata detyrohen të ikin, sepse në atdheun e tyre ata vidhen, ata nëpërkëmben, ata i gjejnë zyrat e shtetit të shndërruar në zyra ryshfeti, ata janë në pamundësi të paguajnë edhe faturat e energjisë elektrike, edhe ilaçet për prindërit, edhe librat e shkollës për fëmijët. Ata po ikin sepse ndjejnë përditë se shteti i tyre, shteti amë u është shndërruar në një regjim pushteti që s’i do. Bile jo vetëm që s’i do, por edhe i përndjek.
Ata po ikin sepse s’gjejnë dot asnjë mënyrë për ta ndryshuar perspektivën e jetës së tyre, sepse pushteti ua vjedh vullnetin e ndryshimit, ua tjetërson votën apo në rastin më të mirë, i përdhos duke ua blerë votën.

29 vjet më vonë, 2 korrikun e përjetoj me një shpresë të madhe, sepse është prova se shqiptarët qendrojnë, se shqiptarët s’e durojnë padrejtësinë dhe se shqiptarët dinë të përballen e t’i fitojnë të drejtat e tyre.
Sot vendi përballet me një zezonë që ngjan me diktaturën komuniste, por që nga marrëdhënia e hapur me krimin ka evoluar në një përbindësh-kancer që duhet zhbërë sa nuk është vonë.

Për këtë mision kombëtar nevojiten kontributet e të gjithëve. Nevojitet përvoja e ish-refugjatëve të 2 korrikut të 1990-s, të cilët pas thuajse 30 vitesh në Perëndim mund të na flasin për guximin që duhet, nevojitet ndihma e bijve të këtyre dallëndysheve të para të Shqipërisë në Perëndim, nevojitet ndihma e diasporës tonë, e cila i është gjendur gjithmonë atdheut, kur ai është gjendur në vështirësi.

Pas 29 vitesh, shoqëria shqiptare është e zonja të përballet me këtë të keqe që e ka zënë, ajo e ka ende energjinë të bërë ndryshimin që dëshiron 85 % e shqiptarëve.

2 korriku është një thirrje që të bashkohemi ashtu si 29 vite më parë, për të larguar të keqen e kthyer në regjim kriminal e të korruptuar e për t’u kthyer shqiptarëve shpresën e humbur. 2 korriku është një shpresë se lumi i refugjatëve të rinj do të ndalet, sepse ai duhet të ndalet, dhe që 2 korrikët e tjerë t’i përmendim vetëm si histori dhe si leksione që ajo i jep përditë shoqërisë tonë.

- Advertisement -

TE FUNDIT